KQZ apel për ekspertë kontabël për të audituar partitë politike
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka ripërsëritur sot apelin drejtuar ndaj ekspertëve kontabël të licensuar pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), që të shfaqin interes dhe të aplikojnë pranë KQZ-së për të audituar partitë politike.
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, u shpreh sot me anë të një deklarate për shtyp se, “Në mbështetje të nenit 91, të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të emërojë me short për çdo subjekt zgjedhor, ekspertë kontabël të liçensuar të cilët do të auditojnë fondet e përfituara dhe të shpenzuara nga subjekte zgjedhore për fushatën zgjedhore, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21.06.2015 dhe në mbështetje të nenit 23/2, pika 2 të ligjit nr. 8580, , ‘Për Partitë Politike” i ndryshuar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të emërojë me short për çdo parti politike, ekspertë kontabël të liçensuar të cilët do të auditojnë fondet e përftuara dhe të shpenzuara nga partitë politike për vitin kalendarik”.
“Janë 61 parti politike dhe 26 kandidatë të pavarur të mbështetur nga zgjedhësit pra 87 subjekte zgjedhore në total, që do të auditohen për fondet e përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhor të datës 21 qershor 2015, dhe 125 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës, që do të auditohen për fondet e përfituara dhe shpenzuara për vitin kalendarik 2014”, tha Hoxhaj.
Sipas saj, “në zbatim të dispozitave të Kodit Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ekspertëve kontabël të regjistruar pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), përmes shkresave zyrtare por edhe deklaratave publike mediatike, që të shfaqin interes për pjesëmarrje në short dhe të bëjnë auditimin e subjekteve të sipërcituara”.
“Deri tani janë depozituar vetëm 19 (nëntëmbëdhjetë) kërkesa nga auditët për pjesëmarrje në short, për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën zgjedhore të datës 21 Qershor, ndërkohë shumë më pak interes ka patur për auditimin e fondeve vjetore të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike, ku janë paraqitur vetëm 7 (shtatë) kërkesa”, theksoi Hoxhaj.
“Nisur nga numri i vogël i auditëve që kanë shfaqur interes për auditimin e partive politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ripërsërit apelin ndaj ekspertëve kontabël të licensuar pranë Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), që të shfaqin interes dhe të aplikojnë pranë KQZ-së për të audituar partitë politike”, nënvizoi zëdhënësja e KQZ.
KQZ rikutjon se, përveç kushteve të përgjithshme të ushtrimit të profesionit, duhet të plotësojnë disa kritere si; të ushtrojnë profesionin e ekspertit kontabël të për jo më pak se 5 vjet. Të mos kenë marrë masa disiplinore: vërejtje me shënim në dosje ose pezullim të përkohshëm gjatë ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël. Të mos ketë qenë i zgjedhur në strukturat drejtuese të ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit. Të mos ketë qenë kandidat i mbështetur nga ndonjë parti politike apo koalicion në zgjedhjet pararendëse. Të mos ketë marrëdhënie krushqie të afërt ose gjinie deri në shkallë të katërt me kryetarët dhe drejtuesit e tjerë më të lartë të partive politike, të cilat do të jenë objekt i auditimit.
Auditët e interesuar duhet të dorëzojnë pranë KQZ-së brenda datës 03.08.2015 një kërkesë aplikimi dhe një deklaratë të nënshkruar nga kandidati lidhur me kriteret e përzgjedhjes të sipercituara.
QZ shprehet se “janë të lutur të gjithë ekspertët kontabël, të cilët plotësojnë kriteret e sipërpërmendura, të aplikojnë pranë KQZ-së dhe të japin kontributin e tyre në realizimin e kësaj detyre të përbashkët që na ka ngarkuar ligji”.