Kroacia i paraqet Malit të Zi tetë kushte para anëtarësimit në BE
Zagrebi u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dokumentin me çështjet e hapura dypalëshe: gjashtë kërkesa lidhen me Kapitullin 23 dhe dy me Kapitullin 31.
Kroacia u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku paraqet qëndrimin e saj për çështjet e hapura me Malin e Zi dhe kushtet që Podgorica duhet t’i përmbushë para se të bëhet anëtare e bllokut, siç njofton portali CdM duke iu referuar Radios Evropa e Lirë. Sipas burimeve diplomatike që citon RSE, dokumenti u është përcjellë vendeve anëtare në fillim të kësaj jave dhe një pjesë e kërkesave lidhet drejtpërdrejt me mbylljen e kapitujve negociues 23 dhe 31.
Gjashtë kërkesat e para bëjnë pjesë në Kapitullin 23, që mbulon gjyqësorin dhe të drejtat themelore, dhe lidhen kryesisht me pasojat e luftës së viteve nëntëdhjetë. Zagrebi kërkon dëmshpërblim për të burgosurit kroatë të kampit të Morinjit, ku nga tetori 1991 deri në gusht 1992 u mbajtën mbi 300 shtetas kroatë, ruajtjen e pllakës përkujtimore në Morinj, ndryshimin e emrit të pishinës së qytetit në Kotor, e cila mban emrin e një ish-roje të atij kampi, zbardhjen e fatit të 14 shtetasve kroatë të zhdukur, ndjekjen penale të krimeve të luftës, përfshirë edhe përgjegjësinë komanduese, si dhe zgjidhjen e të drejtave pronësore të 51 familjeve kroate nga Tivari dhe të familjeve të tjera në Gjirin e Kotorrit.
Dy kërkesat e tjera lidhen me Kapitullin 31, për politikën e jashtme dhe të sigurisë, kapitull që Mali i Zi nuk e mbyll dot që nga viti 2024 për shkak të bllokadës kroate. Zagrebi kërkon kthimin e anijes shkollë “Jadran”, për të cilën thotë se i takon Kroacisë sipas marrëveshjes së suksesionit të vitit 2001, si dhe konfirmimin e kufirit tokësor mes dy vendeve mbi bazën e hartave ekzistuese, pas çka do të ishte i gatshëm të thërrasë rregullisht edhe komisionet për delimitimin detar.
Sipas raportimit të CdM-së, ministri i jashtëm kroat Gordan Grlić Radman, pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së më 12 tetor në Luksemburg, ka thënë se kërkesat e Zagrebit lidhen me trashëgiminë e shpërbërjes së shtetit të dikurshëm dhe me të drejtat e njeriut e sundimin e ligjit, duke paralajmëruar se asnjë nga çështjet e hapura nuk është mbyllur në 35 vjet. Nga ana tjetër, Kroacia thekson në dokument se e ka mbështetur vazhdimisht rrugën euroatlantike të Malit të Zi dhe se kërkesat e saj i quan të kufizuara dhe të arritshme.
Mali i Zi është kandidati më i avancuar në procesin e zgjerimit: deri tani ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj negociues dhe qeveria në Podgoricë synon t’i përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2027. Por, meqë për mbylljen e çdo kapitulli dhe për ratifikimin e traktatit të anëtarësimit duhet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare, dokumenti kroat e kthen zgjidhjen e çështjeve dypalëshe në një parakusht konkret të hapave të fundit të Podgoricës drejt BE-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.