Kryemadhi në Dibër: Të rrisim vetëdijen kombëtare, situata në Shqipëri e vështirë
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së ne Peshkopi, ka bërë thirrje për zgjimin e vetëdijes kombëtare, pasi sipas saj, situata në Shqipëri është e vështirë përsa i përket gjendjes ekonomike, papunësisë në rritje dhe situatës së krimit dhe drogës në vend.
Duke foluar para strukturave të LSI-së në Peshkopi, Kryemadhi tha se votat e shqiptarëve u këmbyen me parcelat e hashashit, parate e drogës, vendet e punës dhe dhunën. “Falenderoj strukturat e LSI-së në Dibër që dyfishuan rezultatet në zgjedhjet e fundit vendore. Qarku i Dibrës ishte qarku më i dhunuar, prandaj dhe ju falenderoj sepse votat e LSI-së janë vota shprese”, tha Kryemadhi.
Duke paraqitur situatën ekonomike të vështirë ajo perdori si argument renditjen e Shqipërisë shtatë vende më poshtë sipas raportit të Bankës Botërore. “Shqipëria duhet të ishte një vend në BE, por trazicioni për 27 vite, varfëria dhe papunësia, krimi dhe droga, na kane lënë në këtë gjendje. Situata vjen e vështiresohet dhe këtë e tregon raporti i Bankës Botërore, qe e rendit Shqipërinë në shtatë vende më poshtë. Investitorët nuk e shohin një vend për të investuar, ndërsa vendet e rajonit janë të renditura më lartë”, tha Kryemadhi.
Ajo theksoi se kemi vetëm një rrugë për të zgjidhur situatën, të reagojmë dhe të zgjojmë vetëdijen kombëtare. “Ne të dielën kemi Konvetën Kombëtare të LSI-së, ku do të analizojmë situatën në vend dhe do marrim përgjegjësi. Është momenti që të zgjohemi dhe zërin tonë ta çojmë derë më derë dhe në të gjithë vendin”, tha Kryemadhi në fund të fjalës së saj.