Kryeministri i Irakut urdhëron hetim për sulmin me dron ndaj aeroportit të Sulaymaniyah-s, ku ndodhet një bazë amerikane
Një dron u rrëzua të shtunën brenda aeroportit të Sulaymaniyah-s në Kurdistanin irakian, pa viktima dhe pa dëme, ndërsa autoritetet kurde thonë se ai u lëshua nga zona të Kirkukut nën kontrollin e Forcave të Mobilizimit Popullor.
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia al-Sudani, ka urdhëruar nisjen e një hetimi për sulmin me dron ndaj aeroportit të Sulaymaniyah-s në rajonin e Kurdistanit, ku ndodhet edhe një bazë e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, siç njofton Al Jazeera.
Sipas Grupit Kundër Terrorizmit të Kurdistanit, droni u rrëzua të shtunën brenda perimetrit të aeroportit, por nuk shkaktoi viktima dhe as dëme materiale. Aeroporti i Sulaymaniyah-s strehon një bazë të forcave të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja.

I njëjti burim kurd i sigurisë bëri të ditur se droni ishte lëshuar nga zona në provincën e Kirkukut që mbahen nën kontrollin e Forcave të Mobilizimit Popullor (Hashd al-Shaabi), rrjetit të milicive të mbështetura nga Irani që veprojnë formalisht nën ombrellën e forcave të armatosura irakiane.
Sulmi shënon një tjetër episod tensioni brenda Irakut, në një kohë kur vendi është tërhequr vazhdimisht në orbitën e luftës mes SHBA-së dhe Iranit. Vetëm më 11 tetor, mbrojtja ajrore e koalicionit ndërkombëtar kishte rrëzuar një dron tjetër mbi Erbil, kryeqytetin e rajonit të Kurdistanit irakian.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.