Kryeministri po e kupton çfarë është Diella

Më në fund, një lajm i mirë nga Kryeministria. Edi Rama duket se ka filluar të kuptoje se cfare eshte Diella. Në prezantimin e fundit të e-Albania 4.0, ai foli për Diellën ashtu siç është dhe siç duhet të jetë: një asistente virtuale e inteligjencës artificiale, e krijuar për të ndihmuar qytetarët të marrin shërbime publike.
Kjo është një qasje që meriton përshëndetje. e-Albania është një platformë që realisht ua ka lehtësuar qytetarëve marrjen e shumë shërbimeve shtetërore. Sigurisht, ka probleme, por dobia e saj është e padiskutueshme. Edhe Diella mund të jetë një ndihmë e vlefshme, sidomos nëse, siç premtohet, do t’u ofrojë pensionistëve 19 shërbime dhe do të shkurtojë kohën e procedurave.
Deri tani, Diella nuk është shquar për ndonjë inteligjencë të jashtëzakonshme. Ndër arritjet e saj më të njohura është fakti që e di se Mirela Kumbaro është ministre e Arsimit. Madje, këtë njohuri e demonstroi publikisht gjatë një bashkëbisedimi me kryeministrin. Nuk është pak për një anëtare kabineti, po të kemi parasysh se disa kolegë të saj prej vitesh nuk e dinë mirë as çfarë ministrie drejtojnë.
Por kjo nuk është faji i Diellës. Ajo është aq e zgjuar sa e lejojnë programimi, të dhënat dhe infrastruktura teknologjike mbi të cilën funksionon. Nuk ka pretenduar ndonjëherë se ka ambicie politike, se dëshiron të bëhet ministre apo se synon një karrierë në administratën shtetërore.
Ishte kryeministri që vendosi ta shpallte ministre dhe ta trajtonte si anëtare të kabinetit. Presidenti Bajram Begaj e përfshiu ministrin virtual në dekretin për përbërjen e qeverisë, duke ia ngarkuar përgjegjësinë kryeministrit. Kështu, një program kompjuterik u përfshi në një shfaqje politike, për të cilën as ishte projektuar dhe as kishte ndonjë përgjegjësi.
Në vend që ta përdornin për t’u shërbyer qytetarëve, e futën Diellën në estradën qeveritare. E ulën në mbledhje, e paraqitën si kolege të ministrave dhe e trajtuan sikur inteligjenca artificiale mund të zëvendësonte përgjegjësinë politike. E shkreta Diellë nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të përgjigjej sipas programit. Në fund të fundit, ajo nuk mund t’i kundërshtojë ata që e kanë programuar, aq më pak ata që i kanë dhënë postin.
Prandaj prezantimi i fundit i Ramës është një zhvillim pozitiv. Diella po kthehet te puna për të cilën është krijuar. Do të ndihmojë pensionistët, do të plotësojë kërkesa dhe do të lehtësojë shërbimet. Kjo është shumë më e dobishme sesa të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë.
Tani mbetet vetëm që kryeministri ta çojë deri në fund këtë rikthim në normalitet. Ta lërë Diellën të bëjë punën e asistentes virtuale dhe ministrat të bëjnë punën e ministrave.
Sepse problemi nuk ka qenë kurrë që Diella nuk ka mjaftueshëm inteligjencë artificiale. Problemi është se Kryeministria ka kërkuar prej saj të kompensojë mungesën e inteligjencës politike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.