Kryeziu: Moskonstituimi i Kuvendit është i pa precedent, mund të shkohet sërish në zgjedhje
Ish gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, e ka cilësuar si të paprecedent situatën e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se përgjegjësinë kryesore e mban partia e parë, e cila ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Kryeziu në një prononcim për Kosovapress tha se partitë politike kanë obligim ligjor dhe kushtetues t’i konstituojnë institucionet, ndërsa vlerëson se zvarritja e procesit e dëmton shtetin.
“Kjo është një situatë e precedentë, që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Herët e tjera, nga praktika ime parlamentare, kur është thirrur të propozohet, të nominohet një kandidat për kryetar kuvendi është nominuar. Kjo ka ndodhur për herë të parë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës. Përgjegjësinë kryesore e mban partia e parë, e cila ka prioritet për kandidimin e një kandidati dhe zgjedhjen e kryetarit, respektivisht nënkryetarëve të parlamentit, të cilët konsiderohen pastaj parlament i konstituuar”, tha Kryeziu.
Sipas tij, deputetët kanë obligim kushtetues për konstituimin e institucioneve.
“I përsëritur, mesazhi për opinionin publik është se partitë politike duhet të jenë në nivel detyre, kanë obligime ligjore dhe kushtetuese t’i konstituojnë institucionet e shtetit, që shteti të shkojë përpara. Përndryshe, kjo mënyrë e degradon shtetin, krijon anarki dhe miqtë tanë ndërkombëtarë që na kanë ndihmuar, dëshpërohen. Ndaj u bëj apel edhe njëherë që ata duhet t’i konstituojnë të gjitha organet e shtetit, duke filluar prej parlamentit si organ më i rëndësishëm, pastaj qeverisë si dhe presidentit”, deklaroi ai.
Kryeziu vlerësoi se ngërçi politik nuk po buron më nga paqartësitë kushtetuese, por nga mungesa e vullnetit politik dhe e marrëveshjes ndërmjet partive. Sipas tij, nëse vazhdon kjo situatë, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat, sipas tij, nuk do ta zgjidhnin krizën.
Tendencat janë, në bazë të asaj qe e shoh une se këto jane më shumë probleme politike, vullnetit politik, se sa probleme kushtetuese. Tendencat janë për me shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme përsëri, sipas mendimit tim. Po mendoj për atë arsye se nuk ka konsensus, nuk ka marrëveshje me partitë politike, nuk ka ndonjë reciprocitet dhe nuk ka ndonjë respekt të ndërsjellë mes opozitës dhe pozitës. Kjo është një vendim i keq, i cili prodhon efekte shumë negative si në sferën e brendshme, po ashtu edhe në sferën ndërkombëtare. Mendoj që askujt s’i konvenon. E para e punës, popullit. Nuk kanë me dalë në zgjedhje, sipas mendimit tim, shumë pak kanë me dalë, qysh ka pasur herën tjetër, e tash s’ka me pasë më tepër. Edhe kurrfarë konvenimi nuk shkon në këtë drejtim, se mund të riciklohet situata, qysh është ricikluar në qershor”, u shpreh Kryeziu.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.