Kryqi i Kuq ngre pikë ndihme pranë bulevardit, si u trajtuan protestuesit e lënduar nga gazi dhe plumbat e gomës
Vullnetarët e Kryqit të Kuq ngritën pranë bulevardit, aty ku gjatë protestës së të shtunës u regjistruan përplasje mes demonstruesve dhe policisë, një tendë të posaçme të ndihmës së shpejtë për personat e lënduar, siç njofton Shqiptarja.com. Në terren u angazhuan mbi 15 vullnetarë, mes tyre mjekë, infermierë dhe studentë të mjekësisë, të cilët ofronin asistencë për këdo që paraqitej me lëndime apo probleme të çfarëdoshme.
Në tendë morën asistencë disa dhjetëra protestues. Pjesa dërrmuese paraqiste probleme të shkaktuara nga gazi lotsjellës, me disa prej tyre në gjendje asfiksie, ndërsa mbi 10 protestues kishin dëmtime të shkaktuara nga plumbat e gomës në pjesë të ndryshme të trupit.
Siç njofton Shqiptarja.com, në pikën e ndihmës u paraqitën edhe protestues me fraktura në gjymtyrë, por jo të gjithë pranonin të shoqëroheshin në spital, nga frika e një procedimi të mundshëm nga policia.
Me shpërndarjen e protestuesve nga bulevardi, në sheshin “Skënderbej” në pikën e Kryqit të Kuq mbeti vetëm një grup i vogël vullnetarësh, ndërsa pjesa tjetër doli në terren për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.