Kapri viziton të riun nga Vlora që u qëllua me plumb gome në sy: rrezikon shikimin, përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi
Deputeti i Partisë Mundësia vizitoi pas mesnate në Spitalin Ushtarak Saimirin, i riu i goditur në sy gjatë protestës së 28 Nëntorit, i cili pret ndërhyrjen dhe rrezikon të humbasë shikimin
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka vizituar pas mesnate në spital të riun nga Vlora, i cili është goditur me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës së 28 Nëntorit, siç njofton BalkanWeb.
Siç dëgjohet në videon e publikuar nga deputeti Kapri në rrjetet e tij sociale, i riu tregon nga shtrati i spitalit se mjekët, pas testit provë që kanë kryer, nuk i kanë dhënë dot një përgjigje për situatën në të cilën ndodhet.
I riu i ka rrëfyer deputetit Kapri se në ato pak momente që ka mundur ta hapë qepallën e syrit të dëmtuar, ka parë vetëm dritë të bardhë dhe jo imazhe.
Në rrjetet sociale, deputeti i Mundësisë shprehet se protestuesi rrezikon shikimin dhe, duke e quajtur goditjen e tij një akt kriminal, paralajmëron se autorët do të mbajnë përgjegjësi për dhunën ndaj protestuesve.
“Saimiri sapo kishte mbyllur telefonin me të ëmën kur, siç më tregoi sot nga shtrati i spitalit, e goditën me plumb gome në sy. Tani rrezikon të humbasë shikimin. Sapo e vizitova në Spitalin Ushtarak, ku i duhet të presë edhe 4 ditë për ndërhyrjen. Përgjegjësit e këtij akti kriminal kanë emra dhe do mbajnë përgjegjësi”, shprehet Kapri.
Ky është rasti i dytë i protestuesve që janë gjuajtur nga policia në sy gjatë protestave, ndërsa më i rëndi ishte ai i Erion Vishkullit. Gjatë protestës së 28 Nëntorit ka pasur me dhjetëra raste të tjera të dokumentuara përmes pamjeve në rrjetet sociale, të protestuesve të qëlluar në zonën e kokës dhe të fytyrës me plumba gome apo me zare nga ana e policisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.