Nis grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, valëviten flamujt kuqezi
Qytetarët po mblidhen në shesh për protestën e radhës kombëtare, një ditë pas përplasjeve të 28 Nëntorit, ndërsa pritet marshimi drejt institucioneve shtetërore
Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në kuadër të protestës së radhës kombëtare të paralajmëruar për ditën e sotme, siç njofton Lapsi.al.
Qytetarët po i bashkohen njëri pas tjetrit tubimit, ndërsa në shesh kanë nisur të valëviten flamujt kuqezi. Pritet që prej aty protestuesit të vijojnë marshimin në drejtim të institucioneve shtetërore.
Protesta e sotme vjen në vijim të tubimeve të zhvilluara gjatë javëve të fundit, ku qytetarë dhe aktivistë kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e qeverisë së Edi Ramës dhe ndryshimin e situatës politike në vend.
Gjatë protestës së djeshme, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, me flamuj kombëtarë, pankarta dhe banderola. Por situata u tensionua kur policia nuk lejoi grumbullimin e protestuesve përpara godinës së qeverisë.
Efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë me presion për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe molotovë. Përplasjet vijuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas u zhvendosën në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori edhe dronë për hedhjen e gazit lotsjellës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.