Kthehet anija “Oriku” nga deti Egje, do niset “Butrinti” i paisur me armatim
Anija e Flotës Detare Shqiptare “Oriku”, e cila ishte nga 21 nëntori i vitit të kaluar në detin Egje, ku mori pjesë në dhjetra operacione ndërkombëtare të NATO-s për të ndaluar trafikimin ilegal dhe migrimin, është kthyer në atdhe.
Rezultat i këtyre operacioneve është dhënia e ndihmës dhe shpëtimi i rreth 1 mijë personave të moshave, gjinive e shtetësive të ndryshme, siriane, nigeriane, irakiane, somaleze, jemenase, kongoleze etj, të cilat nga brigjet e Turqisë do kalonin për në brigjet greke apo vende të tjera të BE.
Në ceremoninë e organizuar në Portin e Durrësit, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se, prania e anijes “Oriku” në detin Egje është shembulli më i mirë i lënies pas të çdo retorike, kur vjen fjala për të shërbyer në një mision NATO.
“Njëmijë jetë të shpëtuara gjatë këtij viti, një mijë njerëz që falenderojnë flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore. Falenderojnë e kujtojnë të gjithë ju, ushtarakë të Forcës sonë Detare, se u zgjatët dorën e shpresës dhe dritën e jetës, aty ku terrori i luftës dhe mungesa e së ardhmes, detyroi një kolonë të madhe njerëzore drejt eksodit larg nga Siria e Iraku”, tha ministrja në fjalën e saj.
Ajo ka vlerësuar kontributin e të gjithë efektivëve shqiptarë në të gjitha misionet paqeruajtëse ku Shqipëria merr pjesë, siç janë ato në Afganistan e Kosovë, të cilat ministrja Xhaçka i vizitoi gjatë javës që kaloi.
“Kudo ku shkova dhe këdo që takova, m’u fol me superlativa për gjithë ushtarakët shqiptarë, motrat e vëllezërit tanë që në çdo situatë të vështirë, janë shembuj të shkëlqyer profesionalizmi. Dua të ndaj me ju vlerësimet maksimale të komandantëve të Misionit Resolute Support në Afganistan dhe KFOR në Kosovë, që më kërkuan t’u dërgonim më shumë ushtarakë shqiptarë pranë tyre. Të njëjtin vlerësim ma thanë dy javë më parë ministrat kanadez dhe letonez për djemtë tanë që janë pjesë e Prezencës së Përparuar të NATO-s në Letoni. Kudo ku keni shkuar, vazhdoni të na nderoni. Nuk ka më bukur kur dora e shpëtimit është dora e një shqiptari”, përfundoi fjalën e saj ministrja e Mbrojtjes.
Shqipëria do të zgjasë me një vit qëndrimin e saj në detin Egje dhe së shpejti drejt operacionit do të niset anija “Butrinti” me 17 anëtarë të ekuipazhit. Kjo anije për herë të parë do të jetë e pajisur me armatim, një risi kjo në anijet shqiptare të patrullimit. Në kontigjentin e fundit në Egje, pjesë e ekuipazhit kanë qenë edhe dy vajza në uniformë.