Kthehet sërish kriza ekonomike në Eurozonë
Të dhënat të dobëta ekonomike, çmime në rënie të aksioneve, rritje e papunësisë: Evropa është ende në krizë. Pa kundërmasat, ekzistenca e eurozonës mund të jetë në rrezik. Shumë ekonomistë janë të mendimit se rreziku i krizës ekonomike në Europë nuk është tejkaluar ende. “Tani kemi një formë tjetër të krizës”, thotë për DW analisti Robert Halver nga Baader Bank. Pas borxheve shtetërore në qendër të diskutimit të krizës tani është euro-koninuktura. Në shumë vende të Eurozonës nuk u bënë reforma për përmirësimin e situatës. “Vetëm reformat mund të afrojnë investimet në këto vende në mënyrë që të stabilizohet punësimi”, thotë Halver. Ai i frikësohet një rikthimi tek ‚nxitja e ekonomisë me borxhe‘. Sipas tij kjo është shumë e rrezikshme.
Me e rrezikshme se falimentimi i Lehman në SHBA
Ekonomisti Max Otte ishte një nga të paktët që paralajmëroi krizën botërore që në vitin 2006. Ai beson se rënia aktuale ekonomike mund të jetë akoma më e rrezikshme se kur në vitin 2008 falimentoi Lehman. “Në krizën financiare të para gjashtë viteve pati panik. Sistemi financiar botëror mund të hidhej në erë. Kjo u zgjidh duke injektuar shumë para të lira në tregje”, thotë Otte për DW. Por reformat strukturore dështuan, problemet themelore nuk janë adresuar. Përveç kësaj janë edhe disa trende negative që shqetësojë: borxhet shtetërore vazhdojnë të rriten në Europë dhe në Jug mbizotëron një depresion total me 50% papunësi ose më shumë. Politikat e rritjes kanë dështuar. “Lufta ekonomike me Rusinë, prek më shumë Gjermaninë dhe Austrinë. ISIS dhe Lindja e Afërme përkeqsëojnë akoma më shumë situatën”, thotë Otte.
Sinjal alarmues nga Italia
Hans-Werner Sinn, President i Institutit Ifo për kërkime në ekonomi me bazë në Mynih i trembet dobësimit të gjatë ekonomik të Europës. “Kriza nuk ka kaluar ende.” Sipas institutit Ifo nga Italia pati një largim të madh kapitali. Vetëm në muajt gusht dhe shtator janë zhvendosur 67 miliard Euro nga Italia. “Ky është një sinjal alarmant dhe tregon se tregjet e kapitalit nuk janë stabilizuar ende”, thotë Sinn. Për të dalë nga situata të tilla Italia dhe vende të tjera mund të marrin borxhe të tjera, por do të vijë dita që këto borxhe të reja do të paguhen dhe do të jetë akoma më e vështirë. Bashkimi Europian është shumë i varur nga Europa, por nuk duhet të diktohet nga jashtë nga strategjia anglo-amerikane anti krizë mendon Max Otte. Sipas kësaj strategjie bankat në vështirësi ndihmohen me para të lira për të pompuar më pas para në tregje. Pritja dhe shpresa se kriza do të zgjidhet vetë me kalimin e kohës, nuk është një opsion serioz. Prandaj situata është e rrezikshme. Në këtë aspekt Robert Halver thotë: “Duhet të veprohet tani. Nuk mund të lejojmë një thellim të krizës së konjukturës.”