Politika

Kumbaro në interpelancë: Për Butrinin nuk është i detyrueshëm konsultimi me UNESCO-n

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi të enjten se “nuk është i detyrueshëm konsultimi me UNESCO për ndërhyrje të vogla në parqet arkeologjike, por vetëm kur bëhet fjalë për ndërhyrje të mëdha”.

Në fjalën e saj sot në Kuvend, në interpelancën e thirrur nga deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i cili kërkoi sqarime për ndërtimin në Butrint, projektin dhe konsultimet, ministrja Kumbaro theksoi se “me subjektin që bën ndërhyrje në Butrint kemi pasur konsultim dy vjet rresht dhe i ka pranuar të gjitha kushtet tona”.

Ministrja Kumbaro theksoi se “zhvillimi i çfarëdo lloj projekti të ri, sidomos me përmasa më të mëdha sesa ajo e mirëmbajtjes, bëhet brenda një kuadri menaxhimi që është në fakt edhe një nga detyrimet që ne kemi”.

“Por,  duke qenë se lista e emergjencave ishte shumë e madhe ka edhe një problem tjetër, parku i Butrintit nuk është vetëm arkeologjik, por edhe park natyror. Ligji për zonat e mbrojtura u miratua vetëm në maj të 2017 dhe plani i menaxhimit nuk mund të jetë vetëm një plan nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, por të jetë një proces kompleks i disa ministrive”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se MKRS-ja po bashkëpunon me UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës për të bërë ligjin e plotë të trashëgimisë kulturore, ligj që krijon të gjitha piketat e nevojshme për planin e menaxhimit .

Sipas saj, ky projektligj vjen së shpejti për miratim dhe hapi tjetër është plani i menaxhimit për të, njëkohësisht edhe për Gjirokastrën edhe për Butrintin që janë pasuri të UNESCO-s, por edhe për parkun e Apolonisë.

Lidhur me investimet, duke iu përgjigjur replikës së deputetit Hyseni , ministrja Kumbaro tha se “jam shumë dakord me ju që ne të restabilizojmë çfarëdo lloj burimi, sepse trashëgimia kulturore nuk është e MKRS-së është e gjithë republikës, e rajonit madje është botërore edhe në disa raste”.

“Në projektet konkrete nuk bëhet fjalë për asnjë investim nga tatimpaguesit shqiptare, bëhet fjalë për gjetje burimesh brenda të gjithë kuadrit rregullator, nënligjor apo ligjor të investimeve që vijnë nga burime të treta, i cili në fakt kapitalizohet si pronë e parkut”, sqaroi ajo.

Ministrja nënvizoi se “ndërtimin e rrugëve nuk e bën MKRS-ja por është pjesë e programit të qeverisë që programet të jenë sa më të integruara dhe kjo është arsyeja pse e kemi futur trashëgiminë kulturore për të parën herë në këto katër vite, në disa projekte të mëdha me partnerët ndërkombëtarë siç është Banka Botërore. Saranda, Gjirokastra Berati, Përmeti, janë pjesë të projektit të BB-së, sepse bëhet fjalë për financime që e kalojnë disafish edhe buxhetin e vetë ministrisë së Kulturës për të rikonstruktuar qendrat historike dhe trashëgiminë kulturore”.

Nga 2013 numri i turistëve është katërfishuar

Në fjalën e tij deputeti Hyseni tha se “Ministria e Kulturës nuk bën rrugët, por MKRS duhet të shqetësohet më shumë se unë dhe të tjerët, që rrugët që shkojnë në monumentet e kulturës duhet të jenë të aksesueshme, dinjitoze dhe në gjendje që të përballojnë flukset e vizitorëve”.

“Ju ftoj të bashkohemi në kërkesën që kam bërë si përfaqësues dhe deputet i zonës të kem një relacion mbështetës nga ju për t’ia çuar Ministrisë së Financave për të parashikuar në buxhetin e 2018 pikërisht këto rrugë në funksion të këtyre veprave”, tha Hyseni.

Sipas tij, ka shumë rezerva për të mirëmenaxhuar parkun e Butrintit dhe atë të gjithë parqeve arkeologjike të vendit.

“Zbarkimet e turistëve të huaj në Butrint nga 2013, janë katërfishuar nga 54 mijë në 220 mijë , ndërsa të ardhurat në park janë dyfishuar edhe pse kemi bërë shumë reforma. Madje edhe biletaria elektronike mendoj se ka rezerva , jo vetëm rezerva mirëmenaxhimi por sidomos edhe të menaxhimit të elementeve korruptive”, nënvizoi Hyseni.

Deputeti Hyseni kërkoi nga ministrja Kumbaro që të mos humbasin kohë dhe të bashkëpunojnë për t’i dhënë një pasqyrë, natyrë dhe pamje tjetër këtyre monumenteve.

“Janë vepra të tilla, të cilat me shpirt nëpër dhemb i kemi gjetur nga brezat e kaluar”, përfundoi Hyseni

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button