Kundërshtimet ndaj reformës territoriale, Rama: Dokumenti është në fazën e konsultimit publik
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X lidhur me debatin për reformën territoriale dhe kundërshtimet e ngritura. Rama shprehet se procesi aktual është pjesë e fazës së konsultimit publik ligjor 60-ditor dhe se kjo periudhë synon që çdo palë të shprehë qëndrimin e saj për propozimin.
“Dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson se kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë, sipas ligjit, duhet të shprehin qëndrimet e tyre me shkrim, ndërsa kundërshtimet mund të shfaqen edhe në forma të tjera paqësore.
Më tej, Rama deklaron se në Shqipëri dhe në Partinë Socialiste nuk ka asnjë vendim për të penguar shprehjen e opinioneve për reformën, ndërsa sikurse thotë ai, vendimi përfundimtar do të merret nga Kuvendi.
Postimi i plotë:
Vazhdon qarja e hallit të kalorësit se po i varen këmbët, së fundi edhe me një agjitim të madh nga vajtorët e vajtojcat, pse tanimë po protestohet edhe “brenda PS” dhe kjo qenka një shenjë tmerrsisht e keqe për “regjimin”.
Në fakt jo, përjashto aktin e turpshëm të djegies së teserave të PS në një rast, nga disa individë që as vetë s’kanë ditur tamam ç’kanë bërë apo ndonjë rast kur deputetë tanët kanë bërë “tribunin e vegjëlisë” pa ditur tamam çfarë thonë, gjithçka tjetër është jo vetëm normale po edhe e mirëseardhur.
Një, sepse dokumenti i reformës së propozuar është pikërisht në fazën e vet të konsultimit publik ligjor prej 60 ditësh dhe kjo fazë do të thotë pikërisht, bujrum gjithkush të shprehet lirisht për propozimin.
Dy, sepse sipas ligjit kryetarët e bashkive e këshillat bashkiakë duhet të shprehen me shkrim për qëndrimet e tyre dhe është krejt e kuptueshme që ata që janë kundër të shprehen edhe me forma të tjera paqësore – për sa kohë nuk bllokojnë rrugë e nuk pengojnë të tjerët të bëjnë jetën e tyre, duke u futur vetë në konflikt me ligjin dhe me PS bashkë.
Tre, sepse as në Shqipëri nuk ka regjim, as në PS nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë vendim për të shkurajuar askënd që të shprehë opinionin e vet për këtë reformë, për të cilën sigurisht do të vendosë parlamenti, por deri atëherë të gjithë do të dëgjohen, përfshirë edhe bashkitë që mund të duan të integrojnë tek vetja bashki më të vogla që në propozimin aktual mbeten siç janë.
Nga ana tjetër të gjithë do të informohen shumë më tepër përgjatë këtyre 60 ditëve lidhur me arsyet logjike të propozimeve – ku nuk ka pasur si të merren parasysh reputacioni i zonës bashkiake që nga koha e antikitetit, numri i të rënëve në luftrat e 2000 vjetëve të fundit apo të tjera të dhëna e gojëdhana të kësaj natyre, të cilat s’kanë qenë dhe s’mund të jenë farë argumenta në këtë debat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.