🌧️
Tiranë 16°C · Shi i lehtë 02 Nëntor 2026
S&P 500 7,605 ▲0.32%
DOW 52,239 ▲0.91%
NASDAQ 25,506 ▲0.27%
NAFTA 96.57 ▼7.25%
ARI 3,970 ▲1.81%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
₿ CRYPTO
BTC $77,018 ▼ -1.4% ETH $2,254 ▼ -0.66% XRP $1.2429 ▼ -0.75% SOL $92.5100 ▼ -2.35%
S&P 500 7,605 ▲0.32 % DOW 52,239 ▲0.91 % NASDAQ 25,506 ▲0.27 % NAFTA 96.57 ▼7.25 % ARI 3,970 ▲1.81 % S&P 500 7,605 ▲0.32 % DOW 52,239 ▲0.91 % NASDAQ 25,506 ▲0.27 % NAFTA 96.57 ▼7.25 % ARI 3,970 ▲1.81 %
EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587 EUR/USD 1.1160 EUR/GBP 0.8335 EUR/CHF 0.9201 EUR/ALL 90.9858 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5272 EUR/TRY 55.7239 EUR/JPY 175.80 EUR/CAD 1.5587
02 Nën 2026
Breaking
Opinion

Që Veliaj të ndihet i sigurt si i burgosur dhe si kundërshtar politik

Mero Baze

Erion Veliaj dhe Edi Rama nuk janë më aleatë politikë, së paku për Bashkinë e Tiranës. Kriza mes tyre ka nisur një vit më parë, kur Edi Rama mori një vendim politik për ta shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë, për t’i hapur rrugë menaxhimit të Bashkisë së Tiranës nga Partia Socialiste ose fituesi i mundshëm i zgjedhjeve nga opozita.

Erion Veliaj e kundërshtoi këtë vendim dhe fitoi në Gjykatën Kushtetuese të drejtën për të qëndruar kryetar bashkie.

Prej atij momenti, pavarësisht etikës në publik, ata nuk janë më aleatë politikë. Humbja e gjyqit në Gjykatën e Lartë, e cila ia preu shpresat Veliajt për ta drejtuar në liri Bashkinë e Tiranës, e rëndoi më shumë këtë marrëdhënie dhe e futi ndarjen mes tyre në një rrugë të pakthyeshme.

I gjithë ky tension i krijuar nga transferimi i Veliajt në burgun e Fierit, nën arsyetime që lidhen me përfshirjen e tij në protestat që zhvillohen në Tiranë, është vazhdim i asaj krize.

Tani të dyja palët duhet të sillen sipas rregullave që ndjekin dy kundërshtarë politikë. Edi Rama nuk ka më asnjë arsye të merret me kujdestarinë e tij në burg, as për mirë dhe as për keq, pasi në çdo rast do të ketë kosto për të. Madje, pikërisht për t’i hequr këto paragjykime ndaj tij, do të ishte mirë ta kthente në Durrës, aty ku ishte, dhe të mos merrej më me jetën e tij në burg, qoftë me gabimet apo me shpikjet për gabimet e tij. Politikani i fundit në Shqipëri që është marrë me burgun e kundërshtarit të tij orë e minutë ka qenë Sali Berisha me burgun e Fatos Nanos. Siç e ka thënë edhe vetë Fatos Nano, ai është marrë me prokurorët, gjyqtarët, avokatët dhe gardianët e tij.

Po ashtu, një nga miqtë e tij më të hershëm, Toni Gogu, i cili e ka vizituar në burg në përpjekje për ta qetësuar dhe për të ulur tensionet, duhet ta ndajë detyrën e tij shtetërore nga miqësia private me Erion Veliajn. Ai duhet t’i garantojë liritë dhe të drejtat e tij njerëzore në burg si ministër i Drejtësisë, pa qenë nevoja të shkojë ta verifikojë vetë, si mik, në qelinë e tij. Ne duhet të ndihemi se jetojmë në një shtet të sigurt, ku ministri i Drejtësisë e di, edhe pa shkuar vetë, se si trajtohen të burgosurit në burgje.

Gjithë të tjerat pastaj janë konsum për politikë.

E vërteta është se ndjeshmëria publike ndaj politikanëve të nivelit të lartë të paraburgosur, si Ilir Meta dhe Erion Veliaj, buron nga fakti se ata janë diskriminuar në raport me politikanët e tjerë, qofshin këta socialistë apo opozitarë, pasi janë paraburgosur për çështje të cilat nuk janë bindëse për paraburgim. Aktorë të tjerë politikë, socialistë apo opozitarë, janë të lirë me akuza më të rënda se ata dhe kjo krijon vetiu paranojën e persekutimit të tyre politik. Shto këtu edhe ndërhyrjet shtetërore në standardet e paraburgimit të tyre dhe paranoja bëhet më e plotë.

Rreziku më i madh që ka Edi Rama në këtë histori është që zelli i nëpunësve të tij të burgjeve, të cilët në tërësi janë një tufë hajdutësh që bëjnë biznes me liritë e të tjerëve, t’i lërë atij njollën e ndërhyrjes në jetën e tyre në burg. Për këtë, ai duhet të mos marrë përsipër asgjë që lidhet me jetën e tyre në burg, por të marrë përsipër gjithçka që garanton standardin e një shteti të lirë dhe demokratik për të burgosurit e profilit të lartë, me ndjeshmëri të lartë politike.

Edhe zyrtarët e burgjeve duhet ta dinë mirë këtë dhe të druhen prej Edi Ramës, jo prej avokatëve të të burgosurve. Edi Rama duhet të jetë avokati kryesor i të drejtave të tyre.

Nga ana tjetër, unë nuk do të ndal kurrë së kërkuari që Erion Veliaj të jetë i sigurt, i respektuar dhe i pacenueshëm politikisht si i burgosur. E kam bërë këtë edhe për Ilir Metën, për të cilin nuk kam asnjë simpati politike.

Përtej kësaj, në betejën e tij politike për Bashkinë e Tiranës me Edi Ramën, apo në beteja të tjera politike nga burgu, Erion Veliaj nuk mund të bëjë luftë përmes delegimit të ideve të tij. Nëse do të luftojë politikisht, duhet ta bëjë vetë ose me aktorë politikë që janë publikisht në krah të tij. Politikë nga qelia, pa aktorë publikë jashtë saj, është e vështirë të bësh.

Deri tani nuk njoh asnjë aktor politik socialist apo përtej tyre që ta përfaqësojë publikisht Erion Veliajn për qëndrimet e tij politike. As të zemëruarit me Edi Ramën brenda PS-së nuk i kam parë të flasin në mbështetje të tij. I vetmi që flet edhe politikisht, edhe juridikisht është avokati i tij, Ndreca, por ai, maksimumi, mund të quhet zëdhënës i tij, jo përfaqësues politik.

Për mua, Erion Veliaj është një viktimë politike në burg dhe kam qenë prej fillimit i mendimit se rruga më e mirë për të ishte dokumentimi i viktimizimit të tij dhe fitorja në Strasburg ndaj padrejtësive që i kanë bërë në Tiranë.

Besueshmëria e akuzave ndaj tij në raport me paraburgimin dhe fushatat linçuese të prokurorëve të SPAK-ut ndaj tij dhe familjes së tij do të hyjnë në historinë e drejtësisë shqiptare si një fushatë talebanësh kundër një personi të targetuar politikisht. Të krahasuara pastaj me sjelljet dhe standardet e vendosura ndaj homologëve të tij, duken edhe më të pista. Rasti i tij është një njollë turpi e drejtësisë së re shqiptare, e cila ka humbur standardet e trajtimit të barabartë para ligjit të të gjithë të akuzuarve të saj.

Nga ana tjetër, lufta për ta mbajtur politikisht Bashkinë e Tiranës deri më 9 maj është një vendim që nuk ka lidhje me çfarë i ka ndodhur, por me planet e tij politike për të ardhmen. Ato varen, para së gjithash, nga fitorja e betejës me drejtësinë. Si avokat politik i tij, them se pa fitoren e betejës me drejtësinë, ato plane nuk kanë më asnjë vlerë, përveçse ushqejnë një klimë tensionesh dhe përplasjesh politike, që nuk e di nëse ia bëjnë më të lehtë apo më të vështirë fitoren.

Por, nëse e ka ndarë mendjen të merret me politikë nga burgu, nuk duhet të kompleksohet nga këto pisllëqet e vogla të ndërrimit të qelive. Mund të kërkojë vetë ta çojnë te burgu më i keq në Shqipëri, për t’u treguar se nuk është në dorë të tyre. Kështu, gjithë këto dramat e vogla bien. Mbetet vetëm beteja e tij politike, për të cilën, siç thotë një lutje e vjetër në kishat tona në Jug (jo e pastorëve): “Zemra më bën për luftë, por Zoti mos e pruftë.”

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.