Kupa e Botës U17/ Shqipëria mbyll grupin me pesë fitore, kuqezinjtë mes 32 ekipeve më të mira të turneut
Kombëtarja shqiptare U-15 e ka mbyllur me bilanc të përsosur fazën e parë të FIFA U-15 World Cup & Festival 2026, që po zhvillohet në Azerbajxhan. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama fituan edhe ndeshjen e fundit të Grupit Y, duke triumfuar 2-0 ndaj Bregut të Fildishtë dhe duke e përfunduar këtë fazë në vendin e parë me pesë fitore në pesë ndeshje.
Protagonist i fitores së fundit ishte Santiago Perkola, i cili realizoi të dy golat e Shqipërisë. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi rezultatin në minutën e 23-të, ndërsa në minutën e 36-të shënoi sërish, duke vulosur suksesin 2-0 ndaj Bregut të Fildishtë.
Shqipëria e nisi turneun me fitoren 6-2 ndaj Ishujve Turks dhe Kaikos, për të vijuar me suksesin 4-1 ndaj Mauritanisë, fitoren 4-0 ndaj Ruandës dhe triumfin 5-0 ndaj Vanuatus. Me pesë fitore në pesë takime, kuqezinjtë siguruan vendin e parë në Grupin Y dhe kalimin në Tier A, ku do të garojnë 32 skuadrat më të mira të turneut.
Faza e dytë do të përfshijë gjashtë nivele konkurruese, të përcaktuara në bazë të rezultateve të fazës së parë. Të gjitha skuadrat do të vijojnë të luajnë deri në ditën e fundit të aktivitetit, ndërsa në përfundim do të shpallen fituesit e secilit nivel. Ekipi që triumfon në Tier A do të kurorëzohet kampion i FIFA U-15 World Cup & Festival 2026.
Shqipëria U-15 e mbyll kështu fazën e parë me një ecuri perfekte dhe do të vijojë aventurën në Azerbajxhan, me synimin për të vazhduar paraqitjet pozitive edhe në fazën e dytë të turneut.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.