Agim Ademi mirëpret rikthimin e Eliot Bujupit në fushën e blertë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mirëpritur rikthimin në fushën e blertë të futbollistit të talentuar Eliot Bujupi, pas rreth dhjetë muajsh mungesë për shkak të një lëndimi në gju.
Bujupi u rikthye në fushë me fanellën e VfB Stuttgart II, në ndeshjen kundër Alemannia Aachen, duke shënuar një moment të rëndësishëm pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë rehabilitimi.
Përmes një postimi, Ademi ka vlerësuar karakterin, durimin dhe përkushtimin e futbollistit të ri, duke theksuar se lëndimet janë ndër sfidat më të vështira në karrierën e një futbollisti, veçanërisht në fazat e hershme të zhvillimit.
Postimi i plotë i Agim Ademit:
Me shumë kënaqësi e prita lajmin për rikthimin në fushën e blertë të futbollistit tonë të talentuar, Eliot Bujupi, pas një periudhe të gjatë dhe të vështirë larg futbollit për shkak të lëndimit në gju.
Pas rreth dhjetë muajsh mungesë, Elioti u rikthye në fushë me fanellën e VfB Stuttgart II, në ndeshjen kundër Alemannia Aachen, duke shënuar një moment shumë të rëndësishëm në karrierën e tij.
Lëndimet janë ndër sfidat më të vështira për çdo futbollist, veçanërisht për talentet e reja, por rikthimi i Eliotit dëshmon për karakterin e fortë, durimin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për futbollin.
Si Federatë, jemi gjithmonë pranë futbollistëve tanë, si në momentet e sukseseve, ashtu edhe në periudhat e vështira.
I uroj Eliotit shëndet të plotë, vazhdimësi dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij futbollistik. Jam i bindur se me talentin dhe përkushtimin që ka, ditët më të mira janë ende përpara tij.
Mirë se u riktheve, Eliot!
Të presim edhe më të fortë!



