Kur mbrojtja e “qytetarit të thjeshtë” kthehet në mburojë për korrupsionin e pushtetarëve

Në mënyrë fare të papritur, Kryeministri Edi Rama bëri publike javën e shkuar një paketë me 105 ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. Justifikimi zyrtar tingëllonte joshës: garantimi i një trajtimi të drejtë për qytetarët e zakonshëm dhe frenimi i abuzimeve nga një sistem drejtësie që shpesh shfaqet shtypës ndaj tyre.
Nevoja për ndryshime u argumentua me faktin e ndjeshëm të numrit të lartë të të paraburgosurve: mbi 60 për qind e personave në burgje janë qytetarë që nuk kanë dalë ende përpara gjykatës ose nuk janë shpallur fajtorë.
Megjithatë, masat për lehtësimin e këtij problemi fshehin synime të tjera që tejkalojnë interesat e njeriut të thjeshtë në përballjen e tij me ligjin.
Amendamentet, të analizuara veç e veç, kufizojnë ndjeshëm prokurorët e SPAK-ut në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
Nëse ndryshimet miratohen, prokurorët nuk do të mund të kërkojnë më arrest për asnjë person që hetohet për vepra penale që dënohen deri në 5 vite burg.
Por edhe për veprat më të rënda, çdo kërkesë për masë sigurie duhet të mbështetet në fakte të pakundërshtueshme — siç u shpreh edhe vetë kryeministri.
Madje, prokurorëve u ndalohet të pohojnë nëse një person i caktuar është vendosur ose jo nën hetim prej tyre.
Këto ndryshime, nëse miratohen, synojnë të ngrenë një barrikadë ligjore e cila më shumë se mbrojtje për qytetarët e zakonshëm, kthehet në mburojë për zyrtarët që hetohen për abuzime dhe shkelje të ligjit.
Prandaj, natyrshëm lind dyshimi se qytetarët e zakonshëm janë përdorur thjesht si fasadë për të dhënë mbrojtje të veçantë për zyrtarët nën hetim.
Dyshimi përforcohet nga ndryshimet e propozura për raportimin dhe botimin në media të informacioneve rreth hetimeve.
Një nga ndryshimet e propozuara është ndalimi kategorik i botimit të akteve të një hetimit, përfshi provat e siguruara gjatë hetimit ku në mënyrë specifike veçohet ndalimi i botimit të përgimeve. Madje ndryshimet, ndalojnë edhe botimin e pamjeve të personave nën masa sigurie.
Me këto ndryshime, derisa një çështje të shkojë për gjykim, askush nuk do të ketë mundësi të dijë se për çfarë po hetohet dhe çfarë provash janë gjetur kundër të akuzuarve.
Ende më problematike shfaqet dispozita që detyron gazetarët dhe mediat kur ato kanë siguruar dokumente, përgjime apo dëshmi nga dosjet hetimore të kërkojnë autorizim paraprak nga gjykata përpara se t’i publikojnë ato.
Ky është një mekanizëm klasik i censurës paraprake. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 22 të saj, e ndalon shprehimisht censurën paraprake ndaj mjeteve të komunikimit masiv.
Vendosja e gjykatës si “filtër” përpara botimit përmbys çdo logjikë demokratike. Gazetari nuk është më i lirë të raportojë dhe redaksia nuk vendos dot më se çfarë përbën interes publik për t’u pasqyruar. Këtë kompetencë tashmë i merr një organ shtetëror.
Por ndryshimet e propozuara shkojnë edhe më tej. Ato e barazojnë gazetarin me zyrtarin që ka detyrim ligjor për ruajtjen e sekretit hetimor, dhe u hapin rrugën padive civile për dëmshpërblim kundër gazetarëve nga ana e pushtetarëve nën hetim.
Edhe kur një gazetar raporton fakte dhe materiale të vërteta të rrjedhura nga dosja hetimore, ai mund të paditet nga personat nën hetim.
Efekti praktik i kësaj mase është frikësimi dhe vetëcensura. Gazetarët, e sidomos ata hulumtues, do të mendohen dy herë përpara se të publikojnë fakte që prekin zyrtarë të lartë, edhe atëherë kur informacioni është plotësisht i saktë dhe mbart interes të lartë publik.
Qeveria pretendon se kjo nismë mbron të drejtat, dinjitetin dhe privatësinë e çdo qytetari. Por realiteti flet ndryshe. Gazetarët nuk kanë raportuar kurrë mbi procese hetimore ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Interesi mediatik ka qenë gjithmonë i përqendruar te dosjet e zyrtarëve të lartë, aferat korruptive dhe lidhjet e e politikës me krimin e organizuar. Kufizimi i informacionit mbi këto çështje nuk mbron individin e zakonshëm. Ai mbron pushtetin dhe vendos kontroll mbi narrativën publike për dosjet për të cilat ka interest ë shtuar publik.
Me këtë skenar, prokurori nuk mund të japë asnjë të dhënë mbi ecurinë e procesit, ndërsa gazetari nuk mund të raportojë asgjë për dosjet e rëndësishme. Publiku rrezikon të mos mësojë kurrë se çfarë po hetohet në të vërtetë.
Nën petkun e mbrojtjes së privatësisë apo prezumimit të pafajësisë, i vetmi burim informimi do të mbetet një njoftim i thatë zyrtar.
Në një sistem demokratik, informacioni i sterilizuar zyrtar nuk përfaqëson neutralitet. Ai është propagandë dhe një formë e sofistikuar e pandëshkueshmërisë.
Kur ligji censuron raportimin mbi korrupsionin, ai nuk mbron qytetarin e thjeshtë. Ai mbron ata që kanë në dorë pushtetin dhe që kanë më shumë për të fshehur.
Korrupsioni nuk zhduket kur nuk raportohet; ai thjesht vazhdon në errësirë dhe pa dëshmitarë.
Një ngjarje për të cilën nuk flitet, zyrtarisht nuk ka ndodhur.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.