Rajoni

Kurti dhe Vuçiç takohen nesër në Bruksel

Bashkimi Evropian pritet t’i bëjë bashkë të mërkurën kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një përpjekje për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, sipas një marrëveshjeje për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, nuk shfaqi shumë pritje nga takimi i nesërm, por shfaqi shpresën për hedhje hapash drejt zbatimit të marrëveshjes…

“Sepse ne tashmë kemi një marrëveshje, kemi marrëveshjen e Ohrit. Problemi i marrëveshjeve është se ato duhet të zbatohen dhe palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë ato, për një arsye apo një tjetër”, tha ai.

Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga shtatori i vitit të kaluar ndërsa ende nuk kanë ndërmarr hapa në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga marrëveshja me gjithë trysninë e bllokut. Kosova nuk ka filluar ende procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbia ka thënë se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të hënën se Serbia do të sillet në mënyrë konstruktive dhe do të përpiqet t’i zgjidhë problemet me dialog. Ai tha se nuk beson në vullnetin e palës tjetër për të marrë pjesë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se takimi do të jetë në funksion të një vlerësimi të procesit të bisedimeve dhe diskutimit të ideve për ecjen përpara.

“Për bindjen time të fuqishme marrëveshja bazike e 27 shkurtit të vitit të kaluar, me pjesën integrale – aneksin e zbatimit të 18 marsit nga Ohri e bën normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen de facto, së paku de facto, në qendër. Prandaj kjo është zgjidhja evropiane e fqinjësisë së mirë por e cila nuk është realizuar deri më sot për shkak se para se të kemi edhe zbatim të marrëveshjes, kemi pasur shkelje sistematike të saj që ka kulmuar me letrën e ish kryeministres serbe Bërnabiq nga 13 dhjetori i vitit të kaluar ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja bazike dhe prej aty na vijnë që të gjitha problemet”, tha kryeministri Kurti.

Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

Zoti Borrell tha se është e nevojshme të rifillohet me takimet e nivelit të lartë për të ditur se ku ndodhet procesi, në një periudhë kur vendet anëtare të bllokut po diskutojnë propozimin për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që u vendosën për shkak të tensioneve në veriun e saj.

“Nëse hiqen këto masa, shpresoj se po, të paktën ky është propozimi im, edhe nëse ndodhë shkallë-shkallë, por shpejt, mund të krijojë një skenar në të cilin dialogu nuk po them se do të vazhdojë, por të paktën nuk do të mbyllet papritur”, tha zoti Borrell.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian hapën diskutimin javën e kaluar për mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës që ishyte kushtëzuar me largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë të komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Qeveria u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual, i cili dështoi në muajin prill, për shkak të bojkotimit të votimeve nga pjesëtarët e komunitetit serb.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button