Kurti: Le ta bind Bedri Hamza Shiroka-Pulën, ka qene ministre e PDK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë ofertën e tretë Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për tejkalimin e situatës institucionale dhe zgjedhjen e presidentit.
Kurti ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme që fillimisht t’i votojë në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente.
Oferta e Kurtit vjen pasi më herët ai kishte përmendur edhe emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit si kandidatë të mundshëm për president.
I pyetur nga gazetarja e Telegrafit, Elfije Boletini Bejtullahu, nëse kishte kontaktuar paraprakisht me Justina Shiroka-Pulën lidhur me kandidaturën, Kurti ka thënë se ajo ka qenë ministre nga radhët e PDK-së.
“Ajo ka qenë ministre e PDK-së. Le ta bind kryetari Bedri Hamza, unë jam dakord”, ka deklaruar Kurti.
Sipas propozimit të tij, fillimisht do të votohej Ligji për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë, ndërsa më pas deputetët do të merrnin pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Kurti ka kërkuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, që të japë zotimin për pjesëmarrjen e deputetëve të kësaj partie në votimin për presidentin./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.