⛅
Tiranë 16°C · Pjesërisht vranët 20 Nëntor 2026
S&P 500 7,023 ▼2.12%
DOW 48,761 ▼0.68%
NASDAQ 23,043 ▼3.5%
NAFTA 83.01 ▲0.69%
ARI 3,525 ▼4.36%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
₿ CRYPTO
BTC $58,991 ▼ -6.65% ETH $1,634 ▼ -8.56% XRP $0.9097 ▼ -6.97% SOL $69.3400 ▼ -6.96%
S&P 500 7,023 ▼2.12 % DOW 48,761 ▼0.68 % NASDAQ 23,043 ▼3.5 % NAFTA 83.01 ▲0.69 % ARI 3,525 ▼4.36 % S&P 500 7,023 ▼2.12 % DOW 48,761 ▼0.68 % NASDAQ 23,043 ▼3.5 % NAFTA 83.01 ▲0.69 % ARI 3,525 ▼4.36 %
EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727 EUR/USD 1.0980 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9259 EUR/ALL 90.1176 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6181 EUR/TRY 55.4680 EUR/JPY 175.39 EUR/CAD 1.5727
20 Nën 2026
Breaking
Kosova

Kurti në Kyiv Post i kërkon Zelenskyt njohjen e Kosovës: Refuzoni krahasimet e Putinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një opinion në gazetën ukrainase “Kyiv Post”, përmes të cilit i ka bërë thirrje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në këtë opinion, Kurti argumenton se pavarësia e Kosovës dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia janë dy raste krejtësisht të ndryshme, duke kundërshtuar krahasimet që presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë mes tyre për të justifikuar veprimet e Moskës në Ukrainë.

Kurti ka rikujtuar se në gusht të këtij viti, Zelensky kishte deklaruar se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. Sipas tij, është domethënëse që kjo deklaratë ishte bërë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.

Ai ka theksuar se Kosova, ndërkaq, ka mbajtur qëndrim mbështetës ndaj Ukrainës, duke dënuar agresionin rus, duke u rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian kundër Moskës, si dhe duke strehuar gazetarë ukrainas dhe duke kontribuar me ndihmë e trajnime ushtarake.

Sipas Kurtit, Kosova dhe Ukraina kanë ngjashmëri në historinë e tyre, pasi të dyja janë përballur me një shtet fqinj që përdor pretendime historike për të justifikuar kërkesat territoriale.

Megjithatë, ai ka vlerësuar se rasti i Kosovës nuk mund të përdoret si argument për aneksimin e territoreve nga Rusia.

Kurti ka përmendur deklaratën e Putinit pas aneksimit të Krimesë, kur presidenti rus kishte pretenduar se Perëndimi vetë kishte krijuar precedentin e Kosovës dhe se banorët e Krimesë po kërkonin të njëjtën të drejtë.

Kryeministri ka argumentuar se Putin nuk e përmend Kosovën për të respektuar të drejtën ndërkombëtare, por për të diskredituar Perëndimin dhe për të paraqitur veprimet e Rusisë si të krahasueshme me ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.

Në opinionin e tij, Kurti ka rikthyer edhe zhvillimet historike që i paraprinë pavarësisë së Kosovës, duke përmendur represionin ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi, luftën, spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga Serbia.

Ai ka rikujtuar gjithashtu ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999, negociatat e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare për statusin e Kosovës, të cilat nisën në vitin 2005 nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, si dhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010.

Sipas Kurtit, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

“Kosova nuk është precedenti i Putinit”, ka shkruar Kurti, duke theksuar se çdo rast i vetëvendosjes duhet të vlerësohet në bazë të historisë dhe rrethanave të tij konkrete.

Ai ka përmendur edhe çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se familjet e tyre vazhdojnë të kërkojnë mbetjet mortore të të afërmve të vrarë, ndërsa Serbia nuk tregon vendndodhjen e varrezave masive.

Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur edhe vizitën e tij gjatë verës në Zubin Potok, ku, sipas tij, janë zbuluar mbetje mortore në një lokacion në pyll, që besohet se lidhet me civilë të rrëmbyer dhe zhdukur me forcë gjatë luftës.

Në pjesën përmbyllëse të opinionit, kryeministri ka theksuar se Kosova dhe Ukraina kanë një orientim të përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Ai i ka bërë thirrje Zelenskyt që ta njohë Kosovën, duke argumentuar se një vendim i tillë do të ishte në përputhje me parimet për të cilat Ukraina po lufton: respektimin e rendit ndërkombëtar, mosndryshimin e kufijve me forcë dhe të drejtën e popujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre.

“Krimea është Ukrainë. Dhe Kosova është Kosovë”, ka përfunduar Kurti opinionin e tij në “Kyiv Post”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.