Kurti: Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shënuar përparim të rëndësishëm në 27 vjet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar përparimin dhe zhvillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) gjatë 27 viteve të funksionimit, duke theksuar profesionalizimin e stafit, modernizimin e infrastrukturës dhe avancimin e programeve të rehabilitimit dhe risocializimit të personave të burgosur.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë këtyre viteve SHKK-ja ka shënuar përparim të rëndësishëm në disa fusha, përfshirë avancimin e legjislacionit, forcimin e sigurisë dhe zgjerimin e programeve profesionale, zhvillime të cilat, sipas tij, janë dëshmuar edhe përmes vlerësimeve pozitive ndërkombëtare.
Ai ka theksuar se, ndonëse burgu është një institucion i domosdoshëm për mbrojtjen e shoqërisë, respektimi i të drejtave të njeriut duhet të mbetet parim i panegociueshëm.
“Burgu nuk është i mirë, por është i domosdoshëm për ta mbrojtur shoqërinë, pa harruar asnjëherë që i burgosuri ose i paraburgosuri e humbet lirinë, por asnjëherë të drejtat, të cilat mbrohen e respektohen nga të gjithë, varësisht funksionit”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka ritheksuar gjithashtu mbështetjen institucionale për Shërbimin Korrektues të Kosovës, duke përmendur angazhimet për fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Sipas tij, qindra zyrtarë të rinj i janë bashkuar SHKK-së, ndërsa një numër i konsiderueshëm i punonjësve kanë përfituar nga trajnimet dhe programet profesionale, si në vend ashtu edhe jashtë tij.
Kurti ka veçuar edhe zgjerimin e programeve të rehabilitimit dhe risocializimit, si dhe mundësitë e krijuara për angazhimin e personave të dënuar në punë jashtë institucioneve korrektuese, përmes bashkëpunimit me kompani publike dhe private. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.