Nisma e re për Specialen, Çitaku: Nuk është më vetëm e PDK-së, synojmë miratimin e shpejtë të ligjit
Nisma e re ligjore për Dhomat e Specializuara pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës brenda kësaj jave. Këtë e ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Ajo tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draftin e projektligjit, ndërsa shprehu pritjen që versioni i parë të jetë i gatshëm gjatë ditës së sotme.
Çitaku theksoi se kjo nismë duhet të ketë mbështetje të gjerë politike dhe qytetare, duke shtuar se ajo tashmë nuk përfaqëson vetëm Partinë Demokratike të Kosovës, por ka edhe mbështetjen institucionale të Republikës së Kosovës.
“Brenda kësaj jave do të procedojmë në Kuvend nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo nismë të gëzojë unitetin e plotë politik e qytetar në Kuvend. Është shumë e rëndësishme që kjo nismë nuk është vetëm e PDK-së, tashmë kjo nismë ka vulën e institucioneve të Republikës. Ekspertët janë duke i bërë ndërhyrjet e fundit dhe besoj se sot do ta pranojmë një draft të parë, ndërsa brenda javës do ta procedojmë si nismë ligjore në Kuvend”, deklaroi Çitaku.
Ajo bëri të ditur se PDK-ja do të jetë e hapur për bashkëpunim me subjektet e tjera politike gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare, duke pranuar edhe këshilla e rekomandime për përmirësimin e tij.
Sipas Çitakut, synimi është që projektligji të shqyrtohet dhe të miratohet sa më shpejt, në të dyja leximet.
“Do të jemi të hapur që gjatë punës në komisionet funksionale të bashkëbisedojmë, të marrim këshilla e rekomandime. Synimi ynë, dhe jo vetëm i PDK-së, është që brenda një afati optimal ky ligj të kalojë në të dyja leximet”, u shpreh ajo.
Duke folur për raportet me Lëvizjen Vetëvendosje dhe dallimet politike mes dy subjekteve, Çitaku tha se pavarësisht kundërshtive, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet një vlerë që, sipas saj i bashkon të gjitha partitë politike.
Ajo theksoi se projektligji është njëri nga instrumentet që institucionet synojnë ta përdorin në mbrojtje të luftës së UÇK-së.
“Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundërshtari ynë politik edhe ditën kur e kemi proceduar ligjin, edhe kur e kemi miratuar, dhe është edhe sot. Por, përkundër hendekut të madh mes nesh dhe dallimeve të thella politike që kemi, UÇK-ja është një vlerë që na bashkon të gjithëve”, deklaroi Çitaku.
Një pjesë e deklarimit të saj iu kushtua edhe qëndrimit të Bashkimit Evropian ndaj nismës së re ligjore.
Çitaku tha se PDK-ja ka qenë e vetëdijshme që nga fillimi se kjo nismë nuk do të mirëpritej nga BE-ja. Megjithatë, ajo theksoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni nga i cili buron legjitimiteti i Dhomave të Specializuara.
Ndërkohë, pas përfundimit të afatit katër javor për procedimin e raportit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion nga Drejtoria Ligjore për hapat e mëtejshëm. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.