Opinion

Kush i kërcënon prokurorët në Shqipëri?!

Nga Ylli Pata

Mafia siçiliane Cosa Nostra, është më famëkeqja për vrasjen e prokurorëve. Kulmi arriti me dy atentatet e tmerrshme në Capacci e Via D’Amelio në vitin 1992, kur u masakruan dy simbolet e luftës ndaj mafias: Giovani Falcone dhe Paolo Borsellino. Por ata nuk ishin të parët, as nuk ishin të vetmit që janë masakruar nga killerët famëkeqë të klanit të Corleone-s.

Të cilët masakruan në një aksion zinxhir, në një kohë të afërt, shefin e Falcones, kreun e parë të Pool Antimafia të prokurorisë së Palermos, Roco Cinicci, i cili u hodh në erë me një makinë plot me tritol e vendosur poshtë shtëpisë së tij. Pikërisht kur Cinicci nisi hetimet për paratë e njerëzve të Corleone-s.

Ata vranë Guvernatorin e rajonit të Siçilisë, Piersanti Matarella, përkatësisht vëllanë e Presidentit aktual të Italisë, i cili anuloi të gjithë lejet e ndërtimit të mafiozëve në Palermo. Ata vranë deputetin e Partisë Komuniste të zgjedhur në Siçili, Pio La Torre, i cili ishte ai që propozoi ligjin e famshëm “41 bis”, i cili parashikon izolimin e pjesëtarëve të mafies në burgje të veçantë. Ata vranë shefin e skuadrës operacionale të policisë së Palermos, Boris Giuliano, i cili drejtonte hetimet në terren që kishte nisur Falcone e Borselino.

Totto Riina, i cili urdhëtoi të gjitha këto vrasje, i bëri pasi donte të kondiciononte marrëdhënien që kishte me një pjesë të rëndësishëm të politikës dhe shtetit Italian, për të mos u prekur, për të mos u hetuar apo zbuluar e konfiskuar pasuritë e tyre.

Ata vranë gazetarin e rëndësishëm të Giornale di Sicilia, përkatësisht kreun e kronikës, Mario Francese, pikërisht kur zbuloi se pas disa kantiereve të prodhimit të inerteve dhe betonit qëndronte Totto Riina.

Por Cosa Nostra nuk është e vetmja që ka vrarë prokurorë e njerëz të shtetit. Të tillë ka vrarë edhe Camorra më pak, por edhe Ndragheta’. Pabo Escobar në Kolumbi, vrau e masakroi politikanë, gazetarë, prokurorë e gjyqtarë, vetëm e vetëm për të shmangur ekstradimin në SHBA.

Në të gjitha rastet, është arritur në përfundimet se këto ngjarje të tmerrshme janë kryer natyrisht për të ndaluar hetimet e frikësuar të tjerët, por pasi kanë pasur një aleancë të fortë me pjesë të rëndësishme të shtetit.

Në Shqipëri, për 30 vjet, kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që kanë pasur në duar lëndë të rëndësishme i kanë ardhur nga kupola e shtetit.

Vdekja misterioze e prokurorit Xhevat Hana, i cili hetoi vrasjen e Remzi Hoxhës, vijon të ushqejë dyshime, pasi lënda e tij shkonte shumë lart në kupolën e pushtetit.

Në rastet e tjera, prokurorët që kanë pasur çështje të rëndësishme kanë pasur përgjithësisht një kundërshtar, një kërcënues dhe ky kërcënim ka qenë publik. Bëhet fjalë për Sali Berishën, i cili cilësoi “Lavire bulevardi”-Kryeprokuroren Ina Rama, pas hetimeve të saj ndaj Gardës së Republikës për vrasjet e 21 janarit 2011. Ishte Sali Berisha që kërcënoi publikisht Zamir Shtyllën, kreun e hetimit në prokurorinë e Përgjithshme, kur nisi hapja e dosjes së Gërdecit.

Kushdo e mban mend kur nisi diskutimi i reformës në drejtësi, kur u orkestruan fushatat e tmerrshme ndaj dy mbrojtësve më të rëndësishëm të saj: Ambasadorit të SHBA-së, Donald Lu dhe ambasadores së BE, Romana Vlahutin.

Sulmi ndaj tyre ishte jo vetëm i ashpër, por edhe me gjuhë e metoda nga më të ulëtat e banalet. E gjitha bëhej vetëm me një qëllim; për të ndaluar, frenuar bllokuar sa më shumë krijimin e Prokurorisë Speciale Kundër Krimit dhe Korrupsionit, e nëse krijohej, për ta tulatur atë, me anë të sulmit ndaj themeluesve realë të prokurorisë antikorrupsion.

E gjitha është kryer nga një plan i fuqishëm, i superfinancuar dhe nga një klan i gjerë zyrtarësh politikanësh e njerëzve mediatikë, me qëllimin e vetëm: larg duart nga pasuritë, dosjet, apo hetimeve ndaj “Peshkaqenëve të Korrupsionit” për të cilat fliste shpesh Donald Lu. i cili gjithashtu përdorte fabulën e “Të parekshmëve”, përkatësisht atyre që kanë mbetur të pandëshkuar nga drejtësia, sepse e kanë penguar, kërcënuar e dhunuar prokurorë e gjykatës.

Kush i thotë tani SPAK-ut-Skapi? Kush i cilëson prokurorët si miq e ortakë të ministrave apo pushtetarëve të mazhorancës?

Edhe Totto Riina të ishte në Shqipëri, nuk do të kishte nevojë të kërcënonte prokurorë apo gjyqtarë, pasi punën e tij e kryente dikush tjetër disa herë më i fuqishëm e më me influencë se ai…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button