Kush janë aleatët e Amerikës në Ballkan
Nga Hamza Karcic
“Newsweek”
Shtetet e Bashkuara janë një partner i besueshëm, dhe imazhi i tyre ndërkombëtar është kryesisht pozitiv. Ky ishte në mënyrë të përmbledhur rezultati i sondazhit më të fundit të Qendrës Kërkimore Pew të publikuar më 22 qershor.
Ndërkohë, një sondazh tjetër i kryer në Ballkan tregoi se Amerika shihet shumë pozitivisht në këtë rajon, me Bosnjën dhe Kosovën që mbeten si vendet më pro-perëndimore. Që të dyja sondazhet tregojnë se imazhi global i Amerikës po përmirësohet.
Sondazhi i Qendrës Pew, i kryer në 17 vende, parashikon kohëra të mira për SHBA-në dhe Perëndimin. Amerika shihet në mënyrë të favorshme nga 61 për qind e të anketuarve nga shkurti deri në maj të këtij viti. Presidenti Joe Biden shihet pozitivisht nga 60 për qind e të anketuarve.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, pikëpamja ndaj NATO-s është pozitive dhe në rritje, me një favorizim të përgjithshëm prej 66 për qind. Në fakt, gjatë 18 muajve të fundit, 2 ngjarje e përmirësuan imazhin ndërkombëtar të Amerikës: fillimi i mandatit të presidentit Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit 2021, dhe përgjigja e udhëhequr nga SHBA-ja për ta ndihmuar Ukrainën përballë pushtimit të Rusisë në shkurt të këtij viti.
Menjëherë pas publikimit të gjetjeve të Qendrës Kërkimore Pew, rezultatet e një sondazhi të kryer në rajon nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), treguan në mënyrë të ngjashme se imazhi i Amerikës është pozitiv në një cep të Evropës: në Ballkan.
I kryer në fillim të këtij viti dhe para pushtimit rus të Ukrainës, rezultatet e sondazhit janë qetësuese. Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten pro-amerikane dhe pro-perëndimore. Një ndarje etnike tregon se boshnjakët dhe shqiptarët janë aleatët kryesorë të Amerikës në këtë rajon.
80 për qind e boshnjakëve të anketuar në Bosnje, kishin një opinion pozitiv për SHBA-në, krahasuar me 36 për qind të serbëve dhe 59 për qind të kroatëve. Ndërkohë, 89 për qind e serbëve të Bosnjës kishin një opinion të favorshëm për Rusinë.
Në Maqedoninë e Veriut, 80 për qind e shqiptarëve kishin një pikëpamje të favorshme për SHBA-në. Në Kosovë, rezultatet janë edhe më të habitshme: 94 për qind e shqiptarëve të Kosovës kishin një pikëpamje të favorshme për SHBA-në. Presidenti Joe Biden mbetet një figurë popullore në Ballkan.
Si senator në vitet 1990, ai ishte një mbështetës i fortë i Bosnjës dhe Kosovës, dhe mbështeti në çdo rast angazhimin e fuqishëm të SHBA-së në Ballkan. Retorika e tij elokuente kujtohet ende me dashuri. 69 për qind e boshnjakëve kishin një pikëpamje të favorshme për Biden, ndërkohë vetëm 15 për qind e serbëve të Bosnjës kishin të njëjtën pikëpamje.
Përkundrazi, 83 për qind e serbëve të Bosnjës kishin një opinion pozitiv për presidentin rus Vladimir Putin. Në Bosnje, shumica është në favor të një politike të jashtme pro-perëndimore, me 42 për qind mbështetje.
Të pyetur se cila duhet të jetë politika e jashtme e Bosnjës, 58 për qind e boshnjakëve ishin në favor të një politike pro-BE dhe pro-perëndimore, ndërsa kroatët 52 për qind. Në Kosovë, rezultatet ishin edhe më mbështetëse për Perëndimin, me 84 për qind të shqiptarëve që janë në favor të këtij kursi.
Ngjashëm, në Maqedoninë e Veriut, 68 për qind e shqiptarëve janë në favor të një qasje pro-perëndimore. Në Bosnje, mbështetja e përgjithshme për anëtarësimin e plotë në NATO është solide, 51 për qind, me një rritje prej 3 për qind nga viti 2020. Anëtarësimi i Bosnjës në NATO mbështetet nga boshnjakët (69 për qind) dhe kroatët (77 për qind), ndërsa mbështetet nga vetëm 8 për qind e serbëve të Bosnjës.
Në Kosovë, 82 për qind e shqiptarëve janë pro anëtarësimit të plotë të vendit në NATO, në përputhje me përkushtimin e fortë të këtij shteti ndaj institucioneve perëndimore. Ajo që tregoi sondazhi i IRI-së, është se Bosnja, Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë pro-amerikane dhe pro NATO-s.
Kështu ka ndodhur që nga ndërhyrjet e udhëhequra nga SHBA në Ballkan në vitet 1990. Edhe kur anti-amerikanizmi u përhap globalisht pas pushtimit të Irakut nga SHBA, mbështetja për Amerikën ishte përgjithësisht e fortë në Bosnje dhe Kosovë, dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Por puna e Amerikës në Ballkan mbetet e papërfunduar. Gjatë 15 viteve të fundit, SHBA-ja e zhvendosi fokusin e saj diku tjetër, dhe ky boshllëk i pushtetit është ndjerë në rajon, dhe atëështë munduar ta mbushë Rusia dhe Kina. Bashkimi Evropian u përpoq që të shtonte ndikimin e saj, por pa rezultat.
Ballkani mbetet aktualisht në harresë, pasi Bosnja dhe Kosova mbeten jashtë Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe pa një lidhje të fortë me institucionet perëndimore. Duke investuar politikisht, ushtarakisht dhe financiarisht në rindërtimin e Bosnjës dhe Kosovës, SHBA-ja nuk duhet të lejojë ndërhyrësit si Rusia dhje Kina që të zhbëjnë arritjet e ndërtimit të paqes prej më shumë se 2 dekadash.
Administrata Biden, duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për ta integruar në NATO Bosnjën dhe Kosovën. Me Maqedoninë e Veriut tashmë në NATO, pranimi i këtyre dy vendeve në aleancë do ta ankoronte fort tek Perëndimi këtë rajon të paqëndrueshëm.
Zgjerimi i NATO-s në Ballkan do të siguronte siguri dhe stabilitet për Bosnjën dhe Kosovën. Tani që anëtarësimi në BE, është në thelb jashtë diskutimit për të dyja vendet pas samitit të fundit të Këshillit Evropian, nevoja për t’iu bashkuar NATO-s është edhe më e rëndësishme. Pranimi e dy shteteve ballkanike në aleancë, është një mënyrë shumë efektive për të siguruar që Ballkani të mos mbetet si “fuçia e barutit” në Evropë.
Shënim:Hamza Karcic, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, Bosnje Hercegovinë.