Kushner dhe Witkoff nesër takohen me Putinin: Ramë dakord për lirimin më të madh humanitar të të burgosurve
Të dërguarit presidencialë amerikanë, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, do të udhëtojnë të enjten drejt Moskës, ku do të zhvillojnë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.
Lëvizja diplomatike vjen pas dy ditësh negociatash trepalëshe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, me pjesëmarrjen e delegacioneve ruse dhe ukrainase, të zhvilluara në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas përfundimit të takimeve, Jared Kushner konfirmoi se negociatat kanë shënuar përparim në çështjen e shkëmbimit të të burgosurve.
“Një nga gjërat pozitive është se ramë dakord që do të kemi lirimin më të madh humanitar të të burgosurve dhe do t’i përfundojmë numrat nesër”, deklaroi Kushner para gazetarëve të mërkurën.
Ai bëri të ditur se vizita në Moskë synon të vijojë diskutimet e zhvilluara në Abu Dhabi dhe të shqyrtojë mundësitë për avancimin e procesit të paqes.
“Ne shohim disa hapje dhe disa mundësi atje”, u shpreh Kushner.
Pas takimit me presidentin rus, dy të dërguarit amerikanë pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të informojnë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbi zhvillimet dhe propozimet e diskutuara gjatë negociatave.
Takimet në Abu Dhabi shënuan raundin e parë të bisedimeve të drejtpërdrejta trepalëshe për paqe që nga diskutimet e zhvilluara në Gjenevë në muajin shkurt.
Tashmë, vëmendja është përqendruar te takimi në Moskë, i cili pritet të përcaktojë hapat e mëtejshëm të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.