Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD-së për “ministren virtuale” Diella
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 39 deputetëve të PD për të shpallur antikushtetuese emërimin e ministres virtuale Diella. Kushtetuesja argumenton se nuk kanë kompetencë për ta shqyrtuar kërkesën e PD.
Njoftimi i Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese, në datën 26.05.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues një grup prej 39 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi), me objekt: “Shfuqizimi i nenit 2 të dekretit nr. 331, datë 12.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Kryeministrit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Shfuqizimi i nenit 1, pika 1, fjalia e dytë, të dekretit nr. 333, datë 15.09.2025, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë “Për emërimin e Këshillit të Ministrave”, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.”.
Gjykata Kushtetuese, e mbledhur sot, në datën 08.10.2026, pasi shqyrtoi objektin e kërkesës, natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, si dhe prapësimet e subjekteve të interesuara, vërejti se:
Së pari, kjo është një çështje e re, për të cilën ajo nuk ka pasur qëndrime të mëhershme në kontekstin e inteligjencës artificiale.
Së dyti, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndryshojë rendin kushtetues dhe ligjor të ushtrimit të kompetencave publike, të përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Përdorimi i një mjeti teknologjik nuk mund të krijojë, zgjerojë, transferojë ose zëvendësojë këto kompetenca. Një kërkesë e tillë buron nga parimet e shtetit të së drejtës dhe të ligjshmërisë.
Së treti, në rastin konkret, kërkuesi ka pretenduar, në thelb, se përmes dekreteve të kundërshtuara, Presidenti ka krijuar një strukturë të re ministrore dhe i ka ngarkuar Kryeministrit një përgjegjësi që nuk buron nga Kushtetuta ose ligji, duke cenuar kompetencat kushtetuese të organeve të tjera dhe garancitë kushtetuese për emërimin e ministrit. Mbështetur mbi këto argumente dhe pavarësisht bazës ligjore të përzgjedhur nga kërkuesi, Gjykata e vlerësoi çështjen sipas natyrës dhe objektit të saj, duke analizuar kompetencat e saj të përcaktuara nga shkronjat “c”, “ç” dhe “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës.
Në çështjen konkrete, Gjykata arrin në përfundimin se formulimi i kundërshtuar është i aftë të prodhojë një efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk rezulton se ai ka efekt konstitutiv autonom për krijimin e kompetencave ose strukturave të reja dhe, në çdo rast, efekti i tij nuk ka karakter normativ. Për rrjedhojë, çështja nuk mund të shqyrtohet bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “c” të Kushtetutës.
Në përfundim, Gjykata me shumicë votash vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.