Kushtetuesja rrëzon Ramën, pezullon ligjin për gradat në Ushtri
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar zbatimin e dy neneve të ligjit për gradat në Ushtri, që i jepnin Kryeministrit të drejtën e lirimit ose nxjerrjes në rezervë të oficerëve me gradë madhore.
Vendimi është marrë të dje nga Gjykata Kushtetuese dhe njoftimi për këtë vendim është bërë publik në faqen zyrtare të institucionit. Gazeta “Panorama” shkruan se Presidenti i Republikës, i cili preket nga ligji i ri “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë”, kishte kërkuar shfuqizimin e nenit 25/3 dhe 26/4 si antikushtetues, ndërsa kishte kërkuar gjithashtu dhe pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë.
Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të nenit 25/3, sipas të cilit “oficerët me gradë madhore dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes” dhe nenit 26/4 sipas të cilit “oficerët me gradë madhore dalin në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes” të ligjit nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë “deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”.
Oficerë me grada madhore janë ushtarakët që mbajnë gradën “Gjeneral” dhe janë të emëruar si përfaqësues ushtarakë në NATO ose në pozicione ekuivalente në strukturat e NATOs etj.
NJOFTIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me datë 10.02.2015, mori në shqyrtim kërkesën paraprake që i perket çështjes me:
Kërkues: Presidenti i Republikës
Objekt: 1. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë.
2. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë.
Pasi shqyrtoi dhe analizoi kërkesën paraprake për pezullimin e zbatimit të ligjit objekt kërkese, Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
VENDOSI:
– Pranimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të neneve 25/3 dhe 26/4 të ligjit nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë” deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.”