Kuvend dhe protestë! Çfarë pritet të ndodhë sot, Parlamenti në rend dite Territorialen dhe 4 interpelanca, Opozita kundër
Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00, në një seancë plenare me 18 pika në rendin e ditës.
Në fokus janë katër interpelanca me ministra, reforma administrativo-territoriale, si dhe një sërë projektligjesh që prekin sektorë të ndryshëm.
Nga ana tjetër, “Revolucioni Flamingo” dhe Opozita kanë lajmëruar protesta. Kjo e fundit e ka cilësuar protestë kombëtare pa flamuj e simbole, kundër Territoriales së propozuar nga PS.
Vetë kryeopozitari Berisha bëri thirrje që qytetarët të grumbulloheshin sot (8 tetor) në orën 10:00 para Kuvendit. Policia nga ana e saj ka përgatitur edhe plan masash, ku në varësi të shkallës së dhunës së protestuesve, mund të përdoren edhe topa uji, sprej apo gaz lotsjellës.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 5 tetorit dhe njoftimet. Më pas do të zhvillohet një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Në vijim janë parashikuar tre interpelanca të tjera. Dy prej tyre janë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara respektivisht nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Interpelanca e katërt është me ministrin e Financave, Petrit Malaj, e kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Një prej pikave kryesore të seancës është projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, që pritet të jetë një nga çështjet me më shumë interes në Kuvend.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta, si dhe ndryshime në ligjet për bankat dhe sistemin e pagesave.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshime në ligjin për mbrojtjen e mjedisit, projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale, si dhe ndryshime në legjislacionin për markat tregtare, patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë.
Një tjetër pikë e rëndësishme është projektvendimi për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., lidhur me marrëveshjet e bashkëpunimit, prodhimin, importin, eksportin dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Në fund të seancës do të shqyrtohet edhe një projektvendim për ndryshime në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit, ndërsa deputetët do të kenë mundësi të diskutojnë edhe për çështje jashtë rendit të ditës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.