Kuvend/ Karakaçi: Thumanë–Kashar financohet nga koncesionari, investimi rreth 1 mld euro. Shehaj: Po mbroni një koncesion korruptiv
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, iu përgjigj pyetjeve të opozitës gjatë një interpelance të zhvilluar në Kuvend lidhur me kontratën koncesionare për projektimin, ndërtimin e aksit rrugor Thumanë–Vorë–Kashar.
Gjatë fjalës së tij, Karakaçi sqaroi se investimi total i parashikuar nga koncesionari për këtë projekt përllogaritet në rreth 1 miliard euro gjatë gjithë periudhës së kontratës.
“Investimi total i koncesionarit, i cili përfshin ndërtimin, mirëmbajtjen në rutinë dhe atë të thelluar, kostot operative, interesat bankare, pagesën e TVSH-së si dhe tatimfitimin që do të derdhet në buxhetin e shtetit, është përllogaritur në rreth 1 miliard euro përgjatë gjithë periudhës së kontratës. Kjo është kostoja e kontratës. Ndërkohë, të ardhurat e pritshme nga operimi i këtij aksi janë vlerësuar në rreth 1.3 miliardë euro për një periudhë 35-vjeçare”, deklaroi ministri.
Karakaçi theksoi se koncesionari nuk mban vetëm barrën e investimit fillestar për ndërtimin e veprës, por edhe përgjegjësinë për mirëmbajtjen afatgjatë të saj, menaxhimin e aksit rrugor dhe përballimin e riskut që lidhet me fluksin e trafikut.
Sipas ministrit, modeli i ndjekur shmangu financimin e drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrugës, ndryshe nga sa parashikohej në projektet e mëparshme.
“Shteti shqiptar nuk pagoi për ndërtimin e veprës, ashtu siç ishte parashikuar në projektin e mëparshëm. Për këtë arsye, angazhimi i shtetit kufizohet vetëm në një garanci trafiku për tetë vitet e para të kontratës, me një vlerë maksimale prej 22.8 milionë euro”, u shpreh ai.
Nga ana tjetwr deputeti Agron Shehaj ka reaguar ashpër në Kuvend ndaj argumenteve të paraqitura nga ministri, duke akuzuar qeverinë se po tenton të justifikojë një kontratë që sipas tij është korruptive.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj ironizoi shpjegimet e ministrit lidhur me fitimet e pritshme të koncesionarit, duke thënë se qeveria po përpiqet ta paraqesë investitorin si një palë që po sakrifikon financiarisht për interes publik.
“Nga ta fillosh në fakt? Doli ministri dhe na shpjegoi që nuk është ashtu siç mendojmë ne. Ai do fitojë shumë pak, thotë ministri, sepse do investojë 1 miliard euro dhe më pas do marrë 1.3 miliardë euro. Praktikisht po na thoni që duhet të na vijë keq për të”, u shpreh Shehaj.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.