Kuvend, Manja: Reforma territoriale respekton Kushtetutën, opozita ta mbështesë
Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, tha në Kuvend se projektligji për reformën territoriale është në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke shtuar se “akuzat e opozitës nuk qëndrojnë”.
“Janë dy aspekte që janë ndjekur nga Komisioni i Ligjeve, ai kushtetues dhe procedural. Gjatë diskutimit ka pasur pretendime nga opozita se nisma e propozuar nuk respekton Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Nisma e depozituar nga një grup deputetësh të PS-së është finalizimi i punës së nisur për të çuar deri në fund një angazhim tonë elektoral të vitit 2025”, tha Manja.
Manja u ndal edhe te bashkimi i njësive vendore, duke argumentuar se reforma do t’u japë mundësi bashkive që do të bashkohen të forcojnë identitetin dhe historinë e tyre.
“Pasi kjo reformë të votohet sot, bashkimi në njësi më të mëdha do t’u japë mundësinë të gjitha bashkive të forcojnë më tej identitetin dhe historinë e tyre, duke përfshirë edhe ato që shkrihen”, u shpreh ai.
Në përfundim, deputeti socialist i bëri thirrje edhe opozitës që ta mbështesë reformën.
“Do t’ju ftoja ta mbështesni edhe ju, opozita, këtë reformë”, deklaroi Manja.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.