Politika

Kuvend, Tahiri: Mirëpres çdo vendim tuajin, cilido qoftë ai

Nisi pak pas orës 10:00 seanca e Kuvendit për imunitetin e Saimir Tahirit. I pari që mori fjalën ishte vetë deputeti socialist, i cili foli shumë shkurt.“Mirëpres çdo vendim tuajin, cilido qoftë ai. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet këtu”, ishin fjalët e vetme të Saimir Tahirit.

Me dy raporte në Kuvend, mazhoranca dhe opozita, nuk kanë asnjë pikë të përbashkët në çështjen “Tahiri”. Në seancën e të mërkurës, deputetët socialistë do të votojnë kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Mazhoranca do të votojë të mërkurën vetëm për kontrollin personal dhe të banesës së Saimir Tahirit, si dhe për ndalimin për daljen e tij jashtë shtetit.Sorry, there are no polls available at the moment.

Ne 23 faqe raport, Partia Socialiste ka argumentuar me detaje përse, sipas saj, dy akuzat e Prokurorisë për trafik narkotikësh dhe korrupsion pasiv, nuk bazohen në prova.

“Prokuroria nuk solli asnjë fakt apo indicie që nga përgjimet e personave të arrestuar apo në hetim, Saimir Tahiri të ketë komunikuar qoftë edhe një herë të vetme”, thuhet në raportin e Partisë Socialiste.

Mazhoranca thotë se Prokuroria kërkon ta arrestojë Saimir Tahirin pa kryer veprime hetimore, për të cilat nuk duhet autorizimi i Parlamentit dhe se as provat sekrete nuk tregojnë përfshirjen e tij.
Këto argumente i kanë çuar socialistët të dalin me përfundimin se arrestimi i Saimir Tahirit është politik.

“Mungesa e provave, nxitimi i organit të akuzës për të kërkuar dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit Saimir Tahiri, dy ditë pasi ka regjistruar procedimin penal dhe emrin e tij në regjistrin e çështjeve penale, krijon bindjen se në këtë stad të hetimeve që ka kryer Prokuroria, kërkesa ka sfond politik”.

Por opozita ka një këndvështrim krejt tjetër. Në raportin e saj prej 17 faqesh, i firmosur nga anëtarët e Partisë Demokratike dhe LSI-së, opozita argumenton përse provat e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit janë të mjaftueshme.

Në raportin e saj thuhet se “për sa kohë Saimir Tahiri ka qenë ministër i Brendshëm, policia nuk ka kryer asnjë veprim pengues apo zbulues për aktivitetin kriminal të Habilajve, edhe pse ministri është informuar nga Shërbimi Sekret”.

Sipas opozitës, emri i Tahirit nuk përmendet vetëm një herë, por disa herë në një shtrirje kohore prej 3 vjetësh, gjatë të cilit grupi kriminal lidhet me Saimir Tahirin nëpërmjet automjetit të shitur prej tij.

“Të dhënat hetimore tregojnë se Saimir Tahiri e ka përdorur automjetin, pasi e ka shitur atë. Është e qartë se ky automjet ka shërbyer si mjet mbrojtës për grupin kriminal në kryerjen e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Sipas provave, makina është blerë me qëllim lehtësimin e trafikut të drogës dhe armëve, pasi ishte në emër të Ministrit të Brendshëm”.

Opozita e konsideron mbrojtjen e Tahirit si goditje ndaj reformës në drejtësi dhe një hap për integrimin europian.

Deputetët e saj shprehin shqetësimin se me Saimir Tahirin të lirë, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, nën mbikëqyrjen e të cilëve janë provat, mund t’i dëmtojnë ato dhe të bëjnë të heshtin dëshmitarët.

Raporti i opozitës përfundon me fjalinë se “Kuvendi nuk mund të bëhet kurrë strehë e krimit apo e mbështetësve direkt të tij.
Një fjali që në rrethanat aktuale duket si një paralajmërim për një qëndrim eventual të opozitës ndaj Parlamentit.

Braktisja e tij nisi që të hënën me komisionet parlamentare dhe u konfirmua të martën, kur demokratët u larguan nga komisioni i ligjeve për shkak të çështjes “Tahiri”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button