Kuvendi i Mitrovicës miraton Deklaratën “Jo në emrin tim” për aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së
Me 28 vota për, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Jugut ka miratuar sot deklaratën lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në seancë mungoi kryetari i Komunës, Faton Peci.
Në deklaratë shprehet mospajtimi me aktgjykimin e shpallur më 16 shtator 2026 nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Më tej theksohet se për një dënim penal të kësaj peshe, përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete dhe bindëse, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se përgjegjësia penale individuale nuk duhet të ndërtohet mbi supozime, përgjithësime, dëshmi të tërthorta apo lidhje të nxjerra nga pozitat politike dhe ushtarake që individët kanë mbajtur gjatë luftës.
Deklarata është lexuar para anëtarëve të Kuvendit nga shefi i Grupit të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, i cili ka paraqitur qëndrimin e këtij kuvendi lidhur me aktgjykimin.
“Standardi më i lartë i provueshmërisë penale shpreh mospajtimin e thellë me atë gjykim të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara nga trupi gjykues, të datës 16 shtator 2026, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Kuvendi konsideron se për një dënim penal të kësaj peshe, përgjegjësia personale e secilit të akuzuar duhet të provohet me prova të qarta, konkrete, bindëse dhe përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Kuvendi shpreh shqetësimin se përgjegjësia penale individuale nuk duhet të ndërtohet mbi supozime, përgjithësime, dëshmi të tërthorta apo mbi lidhjet e nxjerra nga pozita politike, ushtarake dhe ushtarake që individët kanë mbajtur gjatë luftës. Kuvendi vlerëson se vetë trupi gjykues ka shpallur të akuzuarit të pafajshëm për akuza për krime kundër njerëzimit, pasi është konstatuar se Prokuroria nuk ka arritur të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ose sistematik kundër popullatës civile. Po ashtu, pafajësi janë dhënë lidhur me një numër incidentesh të tjera të pretenduara. Për Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, kjo dëshmon rëndësinë themelore që standardi përtej dyshimit të arsyeshëm duhet të zbatohet me të njëjtin rigorozitet për çdo akuzë, çdo formë përgjegjësie dhe secilin të akuzuar veçmas.Kuvendi konsideron se kur pas një procesi shumëvjeçar vërehen paqartësi serioze mbi lidhjen konkrete të individit me veprën penale, këto paqartësi nuk mund të mbulohen me perceptime, dëshmi indirekte apo përgjithësi të nxjerra vetëm nga hierarkia organizative. Kuvendi i Mitrovicës shpreh qëndrimin se, nëse përgjegjësia individuale e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm me prova bindëse dhe të drejta në lidhje me elementet përkatëse të veprave penale, statusi juridik duhet të ishte shpallja e tyre të pafajshëm. Në fund duhet të theksojmë se gjykimi i shkallës së parë nuk është fundi i procesit. Procedura e ankimit është pjesë e drejtësisë dhe ne duhet të shpresojmë që ato të shqyrtohen me kujdes, të gjitha pretendimet, provat dhe çështjet që lidhen me përgjegjësinë individuale. Duke pasur parasysh se vendimi u shpall me formulimin ‘në emër të popullit të Kosovës’, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Jugut përcjell mesazhin e qartë të qytetarëve të saj: ‘Jo në emrin tim’. Kjo është shprehje e mospajtimit me këtë dënim dhe e të drejtës për të kërkuar drejtësi për udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi”, tha Ibrahimi.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, Safet Kamberi, tha se Kuvendi shpreh solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe unitetit.
“Kuvendi i Komunës së Mitrovicës Jugore shpreh solidaritet me familjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, si dhe me të gjithë ata që këtë proces e kanë përjetuar me dhimbje dhe shqetësim. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës Jugore u bën thirrje qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës që, përkundër dhimbjes dhe emocioneve të forta, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke shprehur qëndrimet e tyre në mënyrë paqësore dhe institucionale”, tha Kamberi.
Më 16 shtator, katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan nga Gjykata Speciale. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.