Kuvendi miraton me 75 vota projektbuxhetin për vitin 2018
Pas një seance të gjatë, që zgjati më shumë se 13 orë, deri në orët e para të mëngjesit të së premtes, Kuvendi i Shqipërisë arriti më në fund të votojë në parim projektbuxhetin e vitit 2018, me 75 vota pro dhe 47 vota kundër. Në seancë, në momentin e votimit, ishin të pranishëm 122 deputetë.
Kurse, 6 p/ligjet e paketës fiskale që do të zbatohen gjatë vitit 2018 u miratuan Kuvendi me 74 vota pro dhe 47 kundër.
Ja projektligjet e votuara në Kuvendin e Shqipërisë:
Miratimi i ndryshimeve në ligjin për nivelet e tarifës doganore me 74 pro
Miratimi i ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat me 74 pro
Miratimi i ndryshimeve ne ligjin për sistemin e taksave vendore me 74 pro
Miratimi i ndryshimeve në ligjin për tatimin e vlerës së shtuar (TVSH) me 73 pro
Miratimi i ndryshimeve në ligjin për akcizat në Republikën e Shqipërisë me 74 pro
Miratimi në parim i projektbuxhetit të vitit 2018 me75 pro
Miratohen pika të tjera të rendit të ditës
Emërimi i z. Ilir Zela, si anëtar i këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimit Elektronik dhe Postar (AKEP) me 73 vota pro.
Po ashtu, Kuvendi miratoi me 72 vota pro Eriola Sadushin, anëtare të bordit të Entit Rregullator të Energjisë.
Maxhoranca dhe opozita u ndanë në qëndrimet e tyre lidhur me karakteristikat e këtij buxheti, ndërsa koncesionet ishin pika më e fortë e debatit, që sipas opozitës rrisin borxhin publik, ndërsa sipas qeverisë ato ofrojnë shërbime më të mira për qytetarin duke e çliruar nga kosto të rënda, të cilat po i merr përsipër buxheti i shtetit.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij e mbrojti këtë p/buxhet me argumentin se ai nxit rritjen ekonomike, punësimin dhe parashikon një sërë investimesh.
Por kreu i partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se ai nuk përmban asnjë politikë kundër varfërisë dhe asnjë përfitim për shtresat në nevojë.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj i ka cilësuar një farsë shqetësimet e opozitës për koncesionet.
Ahmetaj nënvizoi se aktualisht janë 213 kontrata koncesionare aktive, nga të cilat 178 janë bërë para vitit 2013 nga qeveria e PD. “178 koncesione janë bërë nga PD, nga të cilat 98 për qind janë oferta të pakërkuara, që do të thotë biznesi sjell ofertën dhe hyn në procedurë”, tha ai.
Sipas tij, vetëm në periudhën maj 2013-9 shtator 2013 janë bërë 45 koncesione, në kohën kur qeveria Berisha II ishte në ikje.
Balla: Opozita sulm të ashpër kundër qeverisë për të marrë pushtetin duke rrëzuar shtetin
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ngriti shqetësimin se opozita prej 2 javësh ka nisur një sulm të ashpër kundër qeverisë, me shpresën se do të marrë pushtetin duke rrëzuar shtetin.
“Lulzim Basha ka nisur një sulm të ashpër edhe kundër bankave në vend, duke i akuzuar ato për pastrim parash. Duke folur çdo ditë, synon të destabilizosh shtetin do të fusësh vendin në kaos, nga i cili shpreson të dalësh fitimtar. Kjo ishte ajo që mendonte edhe babai yt politik 4 vite më parë, pasi duke e lënë Shqipërinë të mbytur në borxhe mendonte se vendi do të rrënohej dhe ai do të kishte mundësi të rimerrte pushtetin”, iu drejtua Balla-Bashës.
Por vuri në dukje ai, akuzat e opozitës nuk po merren seriozisht nga qytetarët dhe kjo vërtetohet edhe nga fakti se asnjë bankë nuk ka humbur asnjë depozitë përgjatë këtyre dy javëve sulmesh.
“Ky është një lajm i mirë sepse bankat në Shqipëri janë institucione stabël pas 20 vitesh”, deklaroi Balla.
Më tej, ai u shpreh se për herë të parë pas 12 vitesh opozita nuk sjell variant alternativ të buxhetit. Kjo sipas Ballës, pasi opozita e ka shndërruar betejën politike kundër pushtetit, në një përpjekje për të rrëzuar shtetin.
Tabaku: Buxheti vendos pikëpyetje për të ardhmen e ekonomisë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duke folur në emër të grupit parlamentar të PD-së, theksoi se ky buxhet vendos pikëpyetje për të ardhmen e ekonomisë dhe se paketa fiskale nuk nxit punësimin e as investimet.
Kjo qeveri, sipas saj, dështoi të sjell një paketë fiskale që mendon për shumicën, por solli një paketë që mendon për disa të përzgjedhur dhe ata që kjo qeveri përcakton me v.k.m.
Sa u takon koncesioneve, Tabaku theksoi se do të ishte e arsyeshme dhënia me koncesion e shfrytëzimit të burimeve natyrore me argumentin se privati do t’i shfrytëzonte më mirë, duke paguar detyrimet edhe në buxhet, por jo sipas saj, të ndërtojë shkolla, spitale apo rrugë, të cilat vuri në dukje ajo, janë atribute të qeverisë dhe se në asnjë nga vendet si Shqipëria kjo skemë nuk ka funksionuar.
Vasili: Ky p/buxhet nuk është për qytetarin
Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili theksoi në emër të forcës së tij politike se ky p/buxhet nuk është për qytetarin. “Ky buxhet ka pak për të diskutuar, pasi shumë qytetarë presin mesazhin pozitiv, por kjo nuk ndodhi”, tha ai.
Duke folur për koncesionet, Vasili u shpreh se nëse qeveria po jep me shërbim të gjitha shërbimet, atëherë do të kemi nevojë për një llogaritar dhe jo një qeveri në vitin që vjen.
“Në 2018 nuk do të kemi më nevojë për një qeveri, por thjesht një llogaritar të mirë që do shpërndajë paratë e koncesioneve, sepse investime strategjike që i japin vizion jetës ekonomike e shoqërore të vendit nuk do të ketë”, deklaroi Vasili.