Kylie Minogue: E kalova sërish kancerin në heshtje
Kylie Minogue ka treguar se në vitin 2021 është diagnostikuar për herë të dytë me kancer, pasi në vitin 2005 kishte kaluar me sukses trajtimin për kancerin e gjirit.
Në dokumentarin e saj të ri në Netflix, të publikuar të mërkurën, këngëtarja australiane tha se “e kalova edhe këtë herë”, por shtoi se kishte vendosur të mos e bënte publike lajmin.
“Diagnoza ime e dytë për kancer ishte në fillim të vitit 2021. Munda ta mbaja për vete. Jo si herën e parë…”, tha Minogue, 57 vjeç.
“Fatmirësisht e kalova dhe gjithçka është në rregull”, vijoi ajo. “Kush e di çfarë sjell e ardhmja, por muzika pop më mban gjallë… pasioni im për muzikën është më i fortë se kurrë.”
Minogue tregoi se e kishte pasur të vështirë të gjente momentin e duhur për ta bërë publike përvojën e dytë me sëmundjen, sidomos gjatë suksesit të këngës së saj “Padam Padam” në vitin 2023.
“Nuk ndjeja detyrim t’i tregoja botës, dhe në fakt nuk munda në atë kohë sepse isha thjesht një hije e vetvetes”, tha ajo.
“Në një moment nuk doja të dilja më nga shtëpia. ‘Padam Padam’ më hapi shumë dyer, por brenda vetes e dija që kanceri nuk ishte thjesht një episod i shkurtër në jetën time. Dhe thjesht doja ta thosha atë që ndodhi, që të mund ta lija pas. Në intervista mendoja ‘tani është momenti’, por e mbajta për vete.”
Edhe pse nuk e bëri publike menjëherë, Minogue la disa nënkuptime për trajtimin e dytë në albumin e saj të vitit 2023 “Tension”.
Një nga këngët, “Story”, përmban vargjet “Kisha një sekret që e mbaja për vete / Kthe një faqe tjetër, zemër, ngjitu në skenë.”
Minogue tha se vendosi ta ndajë këtë histori edhe për të inkurajuar të tjerët të bëjnë kontrolle shëndetësore.
“Zbulimi i hershëm më ndihmoi shumë dhe jam shumë mirënjohëse që sot mund të them se jam mirë”, thuhet në materialin promovues të filmit.
Në vitin 2005, pas diagnozës së parë, ajo u detyrua të ndërpriste turneun dhe të tërhiqej nga performanca në Glastonbury, për t’iu nënshtruar kimioterapisë dhe radioterapisë.
Në atë kohë, lajmi u bë publik dhe ajo mori mbështetje të madhe nga fansat dhe figura të njohura. Minogue u vlerësua gjithashtu për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sëmundjen, duke nxitur shumë gra të kontrollohen, fenomen që në Australi u quajt “efekti Kylie”.
Ajo tregoi gjithashtu se kishte shtyrë trajtimin për të provuar disa cikle IVF në dëshirën për të pasur fëmijë.
“Kur u diagnostikova isha 36 vjeç dhe mendoja gjithashtu për fëmijë”, tha ajo.
“E shtyva edhe kimioterapinë për të provuar, gjë që ishte e frikshme, sepse në atë moment do vetëm që sëmundja të largohet. Po të kishte funksionuar, do të ishte një mrekulli e vogël. Por nuk ndodhi kështu.”
Minogue u shpall e shëruar dhe në vitin 2008 u zbulua se fillimisht ishte diagnostikuar gabim.
Në vitin 2019 ajo më në fund performoi në festivalin Glastonbury, 14 vite më vonë se sa ishte planifikuar, duke realizuar një nga koncertet më të ndjekura të festivalit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo arriti sukses të dyfishtë në top-listat britanike me këngë dhe album.
Dokumentari i ri ndjek rrugëtimin e saj nga seriali australian “Neighbours” deri në statusin e një prej yjeve më të mëdhenj të pop-it, duke përfshirë hite si “Can’t Get You Out Of My Head” dhe “Spinning Around”, si dhe intervista me familjarë dhe kolegë si Jason Donovan, Dannii Minogue dhe Nick Cave.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.