Laburistët, gati të mbështesin një referendum të dytë për “Brexit”-in
Udhëheqësi i laburistëve në Britani, Jeremy Corbyn njoftoi se do të mbështesë një referendum tjetër mbi “Brexit”-in, nëse Parlamenti e hedh poshtë këtë javë marrëveshjen për braktisjen e vendit nga blloku.
Zëdhënësi i Partisë Laburiste, Keir Starmer ka paralajmëruar se partia e tij do të propozojë një amendament, që qeveria të miratojë propozimin e tyre për një union të përhershëm doganor me BE-në.
“Nëse Parlamenti nuk e voton planin tonë, atëherë laburistët do të mbajnë premtimin që kemi dhënë në konferencën tonë të përvitshme, e do të mbështesim një tjetër votim publik”, ka shkruar Starmer në Twitter.
Kryeministrja britanike, Theresa May është nën presion për të shtyrë daljen e Britanisë nga blloku, pasi gjasat për një marrëveshje të re me BE-në janë shumë të vogla. Kjo, pasi BE-ja kundërshton të rishikojë marrëveshjen paraprake, e cila ishte hedhur poshtë nga Parlamenti britanik.
Megjithatë, kryeministrja Theresa May është e vendosur që Britania të dalë nga blloku në afatin e parashikuar për më 29 mars.