Lazarati mbërrin në Hollivud
“Mercury Films” ka zbuluar se ka nisur një projekt për një film që do të titullohet “Lazarat Burning”, i cili do të shfaqet në qershor të vitit 2017.
Filmi është i bazuar në një ngjarje reale të ndodhur në fshatin e Lazaratit, ku tregohet historia e një personi, i cili në moshë të vogël u bë dëshmitar i vdekjes tragjike të prindërve të tij pasi u rrënuan ekonomikisht nga skemat piramidale të fillimviteve ’90 në Shqipëri.
“Jemi shumë të emocionuar për këtë film që do të jetë debutimi i studios sonë”, thotë Issa Zaroui, producenti ekzekutiv i “Mercury Films”, një studio hollivudiane.
Në film luajnë aktorët rusë si Konstantin Khabensky, Elizaveta Boyarskaya, Dmitry Nagiev dhe Ivan Makarevich. Ndërsa kasti i aktorëve shqiptarë do të përbëhet nga Albana Osmani, Jonida Vokshi dhe Ermal Mamaqi. Mendohet se filmit do i bashkohet edhe Blerim Destani.
Filmi pritet të jetë një nga produksionet më të mëdha në historinë e kinematografisë shqiptare, ndërsa më shumë informacione do të zbulohen në javët e ardhshme.