Ekonomia

Legalizimet, qeveria anulon dosjet e parregullta

Parcelat/ Ndryshojnë 30 vendime të qeverisë “Berisha”. Flet Artan Lame: I hapet rruga urbanizimit dhe legalizimit. Javën tjetër publikohen çmimet

Artan lame

Mbi 90 për qind e vendimeve të qeverisë “Berisha” nuk përputhen me matjet në terren të hapësirave që legalizohen, tha dje për gazetën “Shqip” Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve. Me propozim të ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave vendosi dje të ndryshojë vendimet e qeverisë “Berisha” për miratimin e kalimit të pronësisë të parcelave ndërtimore nga shteti në favor të poseduesve të objekteve informale. Bëhet fjalë për 30 vendime qeverie, në të cilat bëhen ndryshime esenciale. “Qeveria i hap rrugën Agjencisë së Legalizimeve që të pasqyrojë matjet reale në terren të parcelave në procesin e kalimit të pronësisë te përfituesit. “Nga verifikimet e bëra deri tani nga specialistët e agjencisë, në këto parcela ka mospërputhje të mëdha dhe një rrëmujë në përshkrimin e planvendosjeve të objekteve informale. Nuk janë parashikuar rrugët, objektet sociale dhe hapësirat e domosdoshme sipas kushteve minimale të një planifikimi urban”, shpjegon arsyen e vendimit të qeverisë që përbën një hap të ri për zbatimin e ndryshimeve ligjore të legalizimit të sapomiratuara nga Kuvendi. Në këto vendime shtohet teksti përcaktues: “Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit informal, të jenë sipas tabelës dhe planvendosjeve përkatëse që i bashkëlidhen këtij vendimi”. Pikërisht për hartimin e saktë të këtyre planvendosjeve do të duhet të përqendrohet fillimisht puna e ALUIZNI-t, tha Lame. Në tabelat që i bashkëlidhen vendimeve, përcaktimi “sipërfaqja e parcelës ndërtimore për kalim pronësie” zëvendësohet me “sipërfaqja maksimale e parcelës ndërtimore për kalim pronësie”. Vendimi ngarkon ALUIZNI-n për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje deri në masën e përcaktuar në tabelat përkatëse. Pak ditë më parë, Lame deklaroi se janë mbi 45 mijë dosje që nuk mund të legalizohen, pasi ato kanë probleme me mungesën e dokumentacionit. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, tha se ato do të rishikohen, ndërkohë që ju bëri thirrje qytetarëve që të drejtohen në zyrat e ALUIZNI-t, për të  nisur puna më pas në terren, për të ribërë matjet e nevojshme, për të cilat nuk do t’ju duhet të paguajnë. “Për 45 mijë dosje nuk mund të bëhet legalizimi, pasi ose nuk janë të plota ose në to gjendet vetëm fatura e pagesës që ka bërë qytetari dhe asnjë lloj dokumenti tjetër. Nuk është bërë asnjë lloj matjeje. Këto dosje do fillojnë nga fillimi. Mungesa totale e përgjegjshmërisë së qeverisë së shkuar sidomos në 2013 ku u thuhej paguani faturat për letrat. Shohim e bëjmë. U bëjmë thirrje qytetarëve të vijnë dhe ta pranojnë këtë situatë. Do bëhen matjet”, u shpreh Artan Lame. Gjatë periudhës katërmujore ekipet tona, tha Lame, kanë azhornuar në terren 20 400 objekte dhe kanë përgatitur dokumentacionin e plotë për 17 000 prej tyre, ndërsa PD-së iu deshën 8 vjet për të dhënë 21 800 leje legalizimi. E gjithë kjo masë qytetarësh tashmë pret miratimin e vendimit të qeverisë për çmimet e truallit dhe përllogaritjet e zbritjeve nga të cilat përfitojnë për të përfunduar procesin e legalizimit. “Po punohet në terren edhe për evidentimin e dendësisë së shtrirjes së zonave informale për të çuar propozime të reja, u shpreh Artan Lame. Lidhur me çmimin e truallit, Lame u shpreh për gazetën “Shqip” se vendimi është hartuar tashmë dhe pritet të miratohet javën tjetër. Drejtori i ALUIZNI-t tha se për çështjen e urbanizmit të zonave informale është ngritur një sektor i planifikimit urban i cili do të bëjë një skemë paraprake të urbanizimit të zonës para se të legalizohet. “Në të njëjtën kohë nga drejtoritë e varësisë së ALUIZNI-t në qarqe, po punohet në terren edhe për evidentim e dendësisë dhe shtrirjeve së ndërtimeve pa leje për propozime për miratim zona te reja informale dhe rishikime të kufirit të zonave ekzistuese informale. Deri tani janë propozuar nga qarqet 84 zona të reja informale dhe pritet të vijnë dhe propozime të tjera, është një proces që do të vazhdojë duke u finalizuar në Këshillin Kombëtar të Territorit ku do të bëhet dhe miratimi i tyre”, tha Lame. Ky vendim i qeverisë i hap rrugën edhe procesit të urbanizimit, përfundoi drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame.

Zamir Alushi

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button