Rajoni

Lesbos, trazira në kampin e refugjatëve përgjatë natës

Për disa orë gjatë mbrëmjes së të martës, kampi i pritjes dhe regjistrimit të refugjatëve në Moria të ishullit të Lesbosit ka kaluar tërësisht nën kontrollin e emigrantëve, pas një rebelimi të disa dhjetëra fëmijëve të pashoqëruar të moshave nga 14 deri në 16 vjeç që ndodhen atje.

Duke protestuar për refuzimin e kërkesës së tyre për azil dhe duke ditur se, sipas marrëveshjes që ka nënshkruar BE-ja me Turqinë do të kthehen përsëri nga kanë ardhur, emigrantët e dëshpëruar që bërtisnin “Liri-Liri” dhe kërkonin hapjen e kufijve, kanë hedhur ujë mbi ministrin grek të Emigracionit, Janis Muzalas, dhe homologun e tij holandez, që vizitonin këtë kamp.

Më pas trazirat janë përshkallëzuar edhe me pjesëmarrjen e refugjatëve të tjerë, të cilët kanë hedhur gurë e mjete rrethanore mbi forcat policore, si dhe u kanë vënë zjarrin disa çadrave e kazanëve të mbeturinave, duke detyruar mjekët dhe anëtarët e organizatave joqeveritare të braktisin menjëherë kampin.

Mbi 12 fëmijë janë çuar në spital, ndërsa dhjetëra të tjerë janë mjekuar me plagë të lehta.

Vonë në mbrëmje, forcat speciale të policisë kanë normalizuar situatën dhe zjarrfikësit kanë fikur zjarret në kampin, ku vetëm 10 ditë më parë vizituan dhe çuan mesazhe të fuqishme humanizmi e solidariteti të gjithë komunitetit mbarëbotëror në përballimin e krizës së refugjatëve, Papa Françesku dhe Patriarku Bartolomeu.

Në ishullin e Lesbosit ndodhen tashmë rreth 4.300 emigrantë, pjesa më e madhe e të cilëve në pikën e pritjes së Morias, ku u zhvilluan trazirat. Në Portin e Pireut mbeten ende rreth 2.700 vetë, pavarësisht se qindra të tjerë janë larguar drejt kampeve në Greqinë kontinentale, ndërsa dramatike vazhdon të jetë gjendja në kampin e Idomenit, ku përveç kufijve të mbyllur dhe dëshpërimit, mbi 11 mijë refugjatë përballen edhe me kushtet e motit, që në ditët e fundit janë të pafavorshme për ta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button