Opinion

Letër Kryeministrit Rama: Edhe Zeusi kërkonte këshilla…

Nga FATOS TARIFA

I nderuar z. Kryeministër! Me besimin se do të gjej mirëkuptimin tuaj dhe, siç kam venë në dukje edhe më parë, si një intelektual i angazhuar, simpatitë politike të të cilit janë për Partinë Socialiste, dua t’ju shpreh disa shqetësime të miat. Krejt hapur, edhe nëse kjo mund të mos j’u pëlqejë.

Pa dyshim, unë i njoh dhe i çmoj shumë nga arritjet e qeverisë socialiste, të drejtuar nga ju gjatë dekadës së fundit. Shumë gjëra të mira janë bërë, por ka edhe gjëra që nuk më pëlqejnë në punën tuaj dhe nuk kam nguruar e as nguroj t’jua them.

Ju nuk jeni kryeministër i këtij vendi që për çdo gjë të bëni siç dini dhe siç doni vetë. Si kryeministër, nga ju kërkohet të dëgjoni e të këshilloheni nga ata që dinë më shumë se ju dhe të bëni siç është më e mira për popullin dhe për vendin tonë. Siç është më e mira për rininë e Shqipërisë, sepse janë të rinjtë e sotëm shqiptarë dhe fëmijët e tyre ata që do të jetojnë në këtë vend edhe pasi unë dhe ju të mos jemi më.

Askush, asnjëherë deri më sot, nuk ka ditur gjithçka. Edhe njerëzit më të mençur kanë kërkuar këshilla nga njerëz të urtë. Edhe Proteusi që dinte gjithçka për të shkuarën, për të tashmen dhe për të ardhmen, kërkonte këshilla. Edhe brahmanët e mençur, madje edhe vetë Zeusi.

Të rinjve të sotëm dhe brezave që do të vijnë duhet t’u lëmë një Shqipëri siç e përytyrojnë dhe siç do e donin ata, jo siç e përfytyroni dhe siç mund ta doni ju që ajo të jetë.

Si kryetar i partisë më të madhe dhe si drejtues i qeverisë së këtij vendi, nga ju pritet të bëni ç’është më e mira edhe për brezin e moshës së mesme dhe për klasën e mesme të këtij vendi, sepse janë ky brez dhe kjo klasë që, në fakt, japin kontributin më të madh për zhvillimin e tij.

Si kryeministër, juve s’do duhej t’ju zinte gjumi për kushtet tejet të vështira në të cilat jetojnë mbi gjysmë milionë pensionistët e këtij vendi, e jo thjesht të mjaftoheni, me një footnote në fjalimet tuaja, duke deklaruar se qeveria u është borxhli atyre. Borxhet shlyhen dhe këtë borxh të vonuar, që ju, si kryeministër, u keni pensionistëve dhe familjeve të tyre, kërkohet t’ua shlyeni me përgjegjësinë dhe dinjitetin që u jep posti që mbani, jo me një bonus mospërfillës çdo fund viti.

Ju mund të thoni, siç edhe bëni vazhdimisht, se Partia Socialiste që ju ka zgjedhur kryetar dhe, për këtë shkak edhe kryeministër, ju ka dhënë përgjegjësinë dhe të drejtën të veproni sipas ideve dhe programit tuaj.

Në fakt, Partia Socialiste j’u ka zgjedhur kryetar të saj që ta drejtoni atë, jo që ta vini në rresht e ta komandoni si një repart të regjimentuar, duke i mbyllur gojën kujtdo që mendon ndryshe nga ju. Ku janë dhe pse s’flasin, madje as në një kongres, anëtarët e organeve të larta të partisë që ju drejtoni apo ministrat e kabinetit tuaj qeveritar?

Partia Socialiste ju ka zgjedhur që në parlament, nga kjo parti të zgjidhen ata njerëz që do populli i këtij vendi dhe që përfaqësojnë qytetarët kësaj republike, jo ata qe doni ju dhe që ju përfaqësojnë juve.

Deputetët që kemi sot në parlament nuk janë të zgjedhur nga qytetarët e këtij vendit, por janë ata që keni zgjedhur ju dhe kryetarët e partive të tjera në listat e mbyllura të partive tuaja për t’ju përfaqësuar në atë parlament juve, kryetarëve, jo popullin.

Dramën komike që shohim të luhet prej javësh në parlament nuk e bëjnë thjesht një grup deputetësh injorantë e të dhunshëm; ajo dramë ka për autorë dhe regjisorë kryetarët e partive politike që këta njerëz i ka bërë deputetë. E këtu, një përgjegjësi të veçantë keni edhe ju, si kryetar i Partisë Socialiste në atë kohë në opozitë, që e kërkuat dhe e votuat këtë sistem zgjedhor që kemi dhe që sot, në krye të partisë më të madhe, nuk doni që ta ndryshoni.

Sistemi zgjedhor që kemi, pavarësisht fytyrave e kostumeve të deputetëve që do të ikin e do të vijnë, do të prodhojë përsëri deputetë të ngjashëm me këta të sotmit. Ky sistem duhet ndryshuar jo sepse këtë e kërkojnë partitë opozitare, por sepse një sistem më përfaqësues është në të mirë të demokracisë në këtë vend. Këtë e kërkojnë qytetatët e kësaj republike.

Duhet ndryshuar në mënyrë që unë dhe çdo qytetar shqiptar të zgjedhim në parliament ata individë që vërtet duam të na përfaqësojnë (neve, qytetarëve, jo juve, kryetarëve të partive), e jo thjesht të votojmë për ata njerëz që vini ju në listat tuaja—disa memecë e shërbëtorë të bindur ndaj vullnetit tuaj, të tjerë huliganë me kostume të shtrenjta, me para boll, por pa dy fije mend në kokë, që për të parin e fisit të tyre hidhen në zjarr, ndërsa për interesin publik dhe fatet e qytetarëve as që duan t’ia dinë.

Si dikush që, për më shumë se katër dekada, i jam përkushtuar arsimit të lartë dhe kërkimit në shkencat mbi shoqërinë, mua më shqetësojnë disa prej mendimeve të shprehura nga ju publikisht, të cilat, nëse shndërrohen në politika shtetërore, do i sillnin shumë dëm shoqërisë sonë. Një ndër to është ideja për t’i dhënë prioritet arsimit të mesëm profesional.

Pa asnjë dyshim vendi ynë ka nevojë për më shumë specialistë me arsim të mesëm në të gjitha profesionet. I kemi pasur, por një pjesë e madhe kanë ikur. Në moshë të re, pas diplomimit në universitetin e Tiranës, kam punuar për disa vite në Politeknikumin “7 Nëntori” dhe sot, për fat të mirë, gjej ende ndonjë nxënës të asaj shkolle nga ajo kohë që më ndihmon kur kam nevojë për shërbime që kërkojnë mjeshtërinë e tyre.

Ata dhe nxënësit e tjerë të shkollave të mesme teknike e industriale u bënë mjeshtërit e vërtetë të profesioneve industriale në vendin tonë. Ishin me mijëra e dhjetëra mijëra. Shumica e tyre sot punojnë në Europë, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada, në Katar apo në Emiratet e Bashkuara.

Nevoja për të arsimuar më shumë të rinj e të reja në këto profesione është, siç me të drejtë thoni ju, e madhe. Por kjo nevojë nuk duhet parë e shkeputur nga shumë faktorë të tjerë. Sepse, nëse sot specialistët tanë me arsim të mesëm profesional, mjeshtrit e profesioneve praktike (ndërtues, hidraulikë, elektriçistë, mekanikë dhe automekanikë, marangozë apo infermierë etj.) largohen nga vendi, ç’garanci kemi se nuk do të largohen më shumë të tillë nëse diplomojmë më shumë nxënës në këto profesione?

Në një shoqëri të hapur e me një treg të lirë janë kërkesat e tregut ato që përcaktojnë edhe strukturën e fuqisë punëtore. Nëse në vendet perëndimore, me popullsi që plaket përherë e më shumë, kërkesat e tregut për profesione të tilla janë më të mëdha se sa kërkesat e tregut shqiptar dhe puna në këto profesione shpërblehet shumë më mirë se sa te ne, çfarë ju bën të mendoni se punëtorë të tillë të kualifikuar do qëndrojnë në Shqipëri? Patriotizmi i tyre? Shpresa se Shqipëria do të bëhet dhe se, shumë shpejt, do të jetë pjesë e Bashkimit Europian? Këto janë provuar për më shumë se tridhjetë vjet se nuk i motivojnë dhe nuk i mbajnë shqiptarët të lidhur pas vendit të tyre.

Unë druaj se, nëse arsimin e mesëm profesional qeveria që ju drejtoni e bën një prioritet të politikave të saj arsimore e zhvillimore, ne do prodhojmë këtej e tutje më shumë specialistë të mesëm në profesione të rendësishme për tregjet europiane se sa për të përmbushur nevojat tona. Kështu, specialistët tanë, do të bëhen një “mall” eksporti. Do të eksportojmë më shumë kapital njerëzor në shkëmbim të më shumë remitancave? Këtë synojmë?! Këtë strategji zhvillimi kemi?

Ju folët në kongresin e partisë suaj për inteligjencën artificiale dhe mendoni se do e habisni Brukselin më vonë këtë muaj, nëse përmes saj do të kemi të përkthyer në shqip tërë legjislacionin e BE-së! E para, legjislacioni i Bashkimit Europian nuk ka rëndësi të përkthehet në shqip; ajo që kërkohet është që legjislacioni shqiptar t’i përshtatet atij europian. E dyta, ajo që juve j’u duket një arritje e madhe e inteligjencës artificiale, nuk është sot asgjë për mijëra studente e të rinj shqiptarë në këtë vend, që dinë shumë më tepër për inteligjencën artificiale, që kanë fituar një eksperiencë të madhe në këtë fushë dhe që e përdorin këtë inteligjencë në veprimtarinë e tyre të përditshme.

Po kështu, më shqetëson mendimi juaj se universitetet tona nuk duhet të “prodhojnë” edhe më tej “doktorë shkencash” dhe se ata që aspirojnë të kryejnë studime doktorale mund të regjistrohen në universitete të huaj.

Duke e lënë modestinë mënjanë, ju vë në dijeni se, pasi kam përfunduar një doktoraturë në Universitetin e Tiranës shumë vite më parë, kam fituar më vonë një doktoraturë të dytë në një prej universiteteve më të mirë në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Unë e di mirë dallimin që ka një doktoraturë e fituar në Shqipëri nga një doktoraturë e fituar në një universitet të mirë perëndimor. Pra, kur shkruaj mbi këtë çështje, e di mirë përse flas. Dhe çka mendoj e dua të them me këtë rast është kjo: T’u heqësh universiteteve shqiptarë të drejtën të kenë programe të nivelit doktoral është një ide shumë e gabuar dhe me pasoja shumë të rënda për arsimin e lartë dhe për vetë shoqërinë shqiptare.

Më shumë se dhjetë vite më parë, kur ju ishit ende kryetar i një partie në opozitë dhe mendonit të bënit një reformë në arsimin e lartë, kam vënë në dukje dobësinë e shumë programeve doktoralë në universtetet tona dhe kam kërkuar të rivlerësohen si kriteret për regjistrimin në këto programe, ashtu dhe cilësia e tyre. Në atë kohë, Shqipëria kishte më shumë studentë doktorantë për frymë popullsie se sa Shtetet e Bashkuara, Kina apo Gjermania dhe ky ishte një absurditet i madh.

Me ardhjen e Partisë Socialiste në drejtimin e qeverisë, shumë prej atyre programeve me të drejtë u mbyllën dhe, për disa vite, u pezulluan thuajse të gjitha programet e nivelit të tretë të studimeve. Por do të ishte një gabim kolosal t’u thuash të rinjve shqiptarë që aspirojnë të kryejnë studime doktorale, që këtë aspiratë të tyre ta realizojnë duke u larguar nga vendi. Sa të tillë i kanë mundësitë? Po ata studentë që s’kanë mundësi të doktorohen jashtë vendit, por duan të zhvillohen personalisht e profesionalisht duke studiuar përtej nivelit master? Kush ua jep juve të drejtën që të vendosni për ta?

Mesazhi juaj, nëse kjo ide e juaja shndërrohet në një politike ose vendim të qeverisë, do të ishte ky: ikni e mos u ktheni më. Sepse janë të pakta gjasat që dikush me një doktoratë të fituar në një universitet të mirë perëndimor të kthehet pa provuar shanset për punësim, për zhvillim profesional dhe për kushte më të mira pune e jetese për vete dhe për familjen e tij në atë vend apo diku tjetër.

Ndërkohë që Shqipëria ka nevojë ngulmonjëse që t’i kthehen shumë prej djemve e vajzave të saj që janë doktoruar nëpër botë (jo thjesht ata që fitojnë një grade master, që sot shumëkund konsiderohet si një arsim i papërfunduar), t’u thuash studentëve shqiptarë që duan të vazhdojnë studimet doktorale në vendin e tyre, shumë prej të cilëve mund të jenë vërtet të talentuar, “shkoni e bëhuni doktorë shkencash jashtë vendit”, më duket një mendim aspak i iluminuar.

Në vend që të insitojmë e të përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e arsimit në universtetet tona në të tre nivelet e tij, në vend që t’i modernizojmë programet akademike dhe t’i rrisim kërkesat për pedagogët që japim mësime në këto universitete dhe për studentët që pranojmë në to, të rinjve shqiptarë që duan të vazhdojnë studimet në nivelin më të lartë u thuhet që ta planifikojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit të tyre. Ku të jetë. Ku të munden. Nëse munden.

Të thuash se një pikëpamje e tillë, nëse është vizion dhe nëse shndërrohet në politikë shtetërore, është dritëshkurtësi, do të ishte pak. Efektet negative që mund të sillte një vizion ose një politikë arsimore e tillë do të ishin katastrofike për shoqërinë tonë.

Me respekt, Fatos Tarifa

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button