Levica: Për DPMNE-në mjafton një procesverbal i Qeverisë për të paguar 300 milionë denarë për Getën
Sipas partisë Levica, drejtori i Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, po përpiqet ta arsyetojë pagesën me një vendim qeveritar, pa kaluar nga procedurat ligjore
Partia Levica ka reaguar ashpër ndaj drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Aleksandar Klimovski, pasi, siç raporton Fokus, ai ka deklaruar se për ndarjen e 300 milionë denarëve mjafton një procesverbal i mbledhjes së Qeverisë.
Sipas reagimit të Levicës, të publikuar sot, Klimovski po përpiqet t’ua shesë qytetarëve historinë e festës “zero denarë”, ndërkohë që tani pohon se për një operacion kaq të madh nuk nevojitet asnjë dokument tjetër përveç vendimit të Qeverisë. I pyetur nëse ekziston një procesverbal i Asamblesë së Aksionarëve që miraton operacionin, ai sërish është referuar në vendimin qeveritar, duke pretenduar se Qeveria ka vepruar në cilësinë e aksionarit.
Në reagimin e saj, Levica thekson se Lotaria Shtetërore është shoqëri aksionare dhe vendimet për shpenzimin e fondeve duhet të merren sipas procedurave të përcaktuara me ligj. Qeveria, edhe pse përfaqëson aksionarin e vetëm, nuk mund të anashkalojë procedurat me një urdhër dhe as të zëvendësojë aktin e nevojshëm për miratimin e pagesës së 300 milionë denarëve me një thirrje në procesverbalin e Qeverisë, thuhet në reagim.
Klimovski është cituar të ketë thënë: “Nëse do të jenë vendime formale apo do të jenë në procesverbalin tonë, në tekstin e procesverbalit, ato na detyrojnë”. Sipas Levicës, me këtë shpjegim drejtori praktikisht u kërkon qytetarëve të pranojnë se forma, kompetenca dhe dokumentacioni janë dytësore kur Qeveria vendos se ku shkojnë paratë.
“Për DPMNE-në, qartësisht, zakoni për t’i mbajtur institucionet nën kontroll partiak krijon iluzionin se mund t’i anashkalojë ligjet sa herë t’i duhet partisë. Kur institucionet trajtohen si degë partiake e jo si organe që disponojnë kapital publik, nuk është çudi që tani, të zënë ngushtë, në vend që t’u përgjigjen pyetjeve me dokumente, përpiqen ta relativizojnë përgjegjësinë e vet”, thuhet në reagimin e Levicës.
Kujtojmë se sipas mediave maqedonase, 300 milionë denarët janë shpenzuar nga Lotaria Shtetërore për organizimin e kremtimit të përvjetorit të pavarësisë së vendit, dhe ditë më parë Qeveria publikoi detaje mbi kostot, ndër të cilat edhe honorarët për këngëtarët.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.