INDI – Nju Delhi në izolim, arrestohen drejtuesit e protestave kundër reformës zgjedhore
NJU DELHI, 10 tetor /ATSH-DPA/- Disa drejtues të Partisë Cockroach Janta (CJP) u arrestuan sot, së bashku me qindra protestues që arritën të afroheshin pranë një zone proteste të rrethuar me masa të forta sigurie në qendër të Delhit.
Lëvizja Cockroach, e drejtuar kryesisht nga të rinjtë dhe e angazhuar për qeverisje të mirë, kishte bërë thirrje për protesta në sheshin Jantar Mantar, në zemër të kryeqytetit indian.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kreut të Komisionit Zgjedhor, Gyanesh Kumar, për shkak të reformave zgjedhore të kundërshtuara.
Protestuesit e akuzojnë Kumar se po manipulon procesin e rishikimit të listave zgjedhore, për të favorizuar Partinë Bharatiya Janata (BJP), të kryeministrit Narendra Modi.
Policia nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e demonstratës.
Protestat kundër procesit të posaçëm dhe të thelluar të rishikimit të listave zgjedhore, i njohur si SIR, janë shtuar javët e fundit.
Shqetësimet për këtë proces janë ngritur nga partitë opozitare, organizatat studentore dhe rinore, si dhe grupet e shoqërisë civile.
Procesi, i nisur në mesin e vitit 2025, ka çuar deri tani në heqjen e 130 milionë emrave nga listat zgjedhore.
Komisioni Zgjedhor i ka mohuar akuzat për shkelje.
Bjë zëdhënës i BJP-së akuzoi sot Partinë e Kongresit, forcën kryesore opozitare, dhe grupet e tjera, që marrin pjesë në protesta se po përpiqen të destabilizojnë vendin, me mbështetjen e fuqive të huaja.
Sipas një videoje të publikuar nga grupi në rrjetet sociale, themeluesi i CJP-së, Abhijeet Dipke, dhe bashkëpunëtorët e tij u ndaluan në bordin e një avioni, pasi mbërritën nga Mumbai.
Sipas burimeve, drejtues të tjerë të njohur të protestave, u ndaluan ndërsa përpiqeshin të shkonin në sheshin Jantar Mantar, ndërsa disa të tjerëve iu pengua largimi nga banesat e tyre.
Grupet e vogla të protestuesve që arritën të hynin në zonën e rrethuar me barrikada, u ndaluan nga policia dhe u larguan me autobusë policie.
Protesta u raportuan edhe në qytetet Mumbai, Ahmedabad dhe Srinagar, ku morën pjesë parti opozitare, organizata studentore dhe grupe rinore.
Sipas raportimeve të medieve dhe njoftimeve zyrtare, më shumë se 40 stacione të metrosë në zonën e Delhit dhe përreth saj janë mbyllur që nga mbrëmja e së hënës.
Gjithashtu, janë pezulluar shërbimet e autobusëve në zonat pranë protestave dhe është bllokuar qasja në internet brenda një rrezeje prej katër kilometrash.
Disa trena që mbërrinin në Nju Delhi u anuluan sot në mëngjes. Policia ka vendosur barrikada në kufijtë e qytetit dhe në rrugët që të çojnë drejt qendrës së Delhit.
Ndërkohë, dhjetëra mijëra efektivë policie dhe pjesëtarë të forcave paraushtarake janë dislokuar në të gjithë kryeqytetin, raportoi televizioni NDTV. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.