Lëvizte me taksi i armatosur me pistoletë, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë, në pranga edhe pasagjeri tjetër
Një 30-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi lëvizte me taksi duke mbajtur me vete një armë zjarri pa leje. Në pranga ka përfunduar edhe një 25-vjeçar, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet. Operacioni i koduar “Taksimetri” u finalizua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, pas administrimit të një informacioni në rrugë operative se një person po lëvizte i armatosur nga Kruja drejt Tiranës.
Taksia me të cilën udhëtonin dy të rinjtë u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë me 15 fishekë, të cilën 30-vjeçari, me inicialet P. Sh., e posedonte pa leje. Në pranga përfundoi edhe 25-vjeçari R. H., i cili, sipas policisë, nuk kishte kallëzuar krimin, megjithëse ishte në dijeni të tij.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet nga Komisariati Nr. 2, operacioni i koduar “Taksimetri”. Lëvizte me taksi, i armatosur me pistoletë, arrestohet në rrugën “Sami Frashëri”, një 30-vjeçar, banues në Thumanë. Në pranga edhe pasagjeri tjetër në mjet, i cili shoqëronte 30-vjeçarin. Të dy të arrestuarit, shtetas me precedentë penalë.
Ata kundërshtuan me dhunë, efektivët që i shoqëruan, dhe dëmtuan ambientet e komisariatit. Sekuestrohet arma e zjarrit me 15 fishekë.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar gjatë punës operative, për një shtetas që kishte lëvizur me armë zjarri me vete, nga Kruja drejt Tiranës, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Taksimetri”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit P. Sh., 30 vjeç dhe R. H., 25 vjeç, të dy banues në fshatin Thumanë. Taksia në të cilën ishte pasagjer shtetasi i dyshuar, P. Sh., u ndalua në rrugën “Sami Frashëri”. Gjatë kontrollit fizik, 30-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me municion, të cilën e posedonte pa leje. Me të njëjtin mjet lëvizte edhe 25-vjeçari, i cili nuk kishte kallëzuar krimin.
Të dy shtetasit kanë goditur punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, dhe më pas, kanë dëmtuar ambientet e dhomës së shoqërimit. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të metejshme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.