Rajoni

Li Keqiang-u mban fjalim në Forumin e 8-të Ekonomiko-Tregtar Kinë-Vendet e EQL-së

Li Keqang-u theksoi në fjalimin që mbajti në këtë forum se mekanizmi i bashkëpunimit “16+1” midis Kinës dhe vendeve të EQL-së ka lindur në përputhje me kërkesat e zhvillimit dhe interesat e palëve të ndryshme dhe ka treguar gjallëri të madhe. Gjatë gjashtë vjetëve që prej fillimit të këtij mekanizmi, përmasat e tregtisë midis Kinës dhe EQL-së janë rritur pandërprerë dhe investimet e ndërsjella janë shtuar në mënyrë të qëndrueshme. Lidhjet infrastrukturore dhe qarkullimi i ndërsjellë mes dy palëve janë zhvilluar normalisht, duke sjellë përfitime të përbashkëta dhe duke rritur mirëqenien e popujve.

Li Keqiang vuri në dukje se bashkëpunimi “16+1” është jo vetëm në favor të nxitjes së zhvillimit të Kinës dhe të vendeve të EQL-së, por edhe të ngushtimit të hendekut midis vendeve të BE-së dhe të realizimit të zhvillimit të balancuar dhe real, duke nxitur më tej procesin e integrimit, bashkëpunimi “16+1” përqendrohet gjithmonë në parimet e zakonshme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rregullat e OBT-së, dhe në kornizën përkatëse ligjore të BE-së. Ai kërkon gjithmonë nga kompanitë të marrin pjesë në konkurrencë në Europë sipas rregullave dhe parimeve të tregut, duke mos përjashtuar asnjëherë të tjerët dhe duke qenë një platformë transparente, publike, e hapur dhe bashkëpunuese. Praktikat vërtetojnë se bashkëpunimi “16+1” jo vetëm u ka shtuar vitalitet të ri marrëdhënieve kino-europiane, por edhe është kthyer në një faktor të ri për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik. Kryeministri kinez Li Keqiang theksoi se, përballë gjendjes së ndërlikuar ndërkombëtare, Kina dëshiron të përpiqet së bashku me vendet e EQL-së për të shfrytëzuar epërsitë dhe për të përplotësuar njëri-tjetrin, duke nxitur zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit “16+1”. Ai kërkoi që të nxitet bashkërisht liberalizmi tregtar dhe të kundërshtohet me vendosmëri proteksionizmi dhe unilateralizmi në të gjithat format, duke respektuar me të gjitha mundësitë sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar tek rregullat.

“Ne duhet të forcojmë lidhjet infrastrukturore dhe qarkullimin e ndërsjellë. Duhet të nxitim me të gjitha mundësitë ‘lidhjet e forta’, të nxitim ndërtimin e linjës së shpejtë tokësore-detare kino-europiane, duke zhvilluar bashkëpunim për ndërtimin e infrastrukturës përgjatë kësaj linje. Gjithashtu të nxitim edhe ‘lidhjen e butë”, të shkurtojmë kohën e zhdoganimit të mallrave dhe të forcojmë më tej standardet e bashkëpunimit dhe të shërbimeve,” tha kryeministri Li.

Ai kërkoi po ashtu edhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e kapaciteve të prodhimit dhe të investimeve. Kina i ka inkurajuar gjithmonë kompanitë e fuqishme kineze të investojnë në vendet e EQL, të forcojnë bashkëpunimin në prodhim dhe përpunim, në sektorët e gjelbër, në ndërtimin e parqeve industriale, në ekonominë detare dhe magazinat doganore etj. Pala kineze mirëpret edhe kompanitë nga vendet e EQL-së të zgjerojnë investimet në Kinë, të ndërtojnë së bashku parkun pilot të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar “16+1” dhe zonën e bashkëpunimit të ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla.

Numri një i qeverisë kineze u shpreh në fjalën e vet në Forum se duhet të thellohet edhe bashkëpunimi mes pushteteve vendore dhe bashkëpunimi kulturor e njerëzor. Me rastin e zhvillimit të “Vitit të bashkëpunimit të pushteteve vendore” sivjet, të dy palët duhet të shfrytëzojnë aktivisht rolin e pushteteve vendore dhe të nxitin më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimet kulturore, turistike, sportive, rinore, mediatike, të instituteve të studimit të politikave etj.

Li Keqiang-u u shpreh se ekonomia e Kinës do të ruajë vazhdimisht prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm, duke mbajtur tre gjëra të pandryshuara: prirjen bazë të zhvillimit të qëndrueshëm, drejtimin e reformës së tregut dhe vendosmërinë e zgjerimit të hapjes. Dera e hapur e Kinës do të hapet më tej. “Kohët e fundit kemi shpallur një sërë masash të zgjerimit të hapjes, duke i kushtuar rëndësi krijimit të një mjedisi tregtar me forcë të madhe konkurruese. Të gjitha këto do të sjellin mundësi të mëdha tregtare për vendet e ndryshme, duke përfshirë edhe EQL-në”, tha Li.

Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borisov u shpreh se bashkëpunimi “16+1” nuk ka si qëllim të ndajë Europën, por të ndihmojë vendet e pazhvilluara brenda BE-së që të kapin sa më shpejt vendet e zhvilluara, për të realizuar zhvillimin e balacuar të BE-së. Kjo platformë ka ofruar një mbështetje të madhe për realizimin e ndërlidhmërisë dhe ndërtimin e infrastrukturës në vendet e EQL-së. Pjesa më e madhe e vendeve të EQL-së, duke përfshirë Bullgarinë, janë edhe anëtare të BE-së, prandaj bashkëpunimi përkatës jo vetëm përputhet me zhvillimin e vendeve të EQL-së, por është edhe në favor të zhvillimit të përgjithshëm të Europës. Vendet e EQL-së janë të gatshme të përpiqen së bashku me palën kineze për të nxitur më tej mekanizmin e bashkëpunimit “16+1” të arrijë më shumë rezultate pozitive.

Mbi 1 mijë përfaqësues të qarqeve të biznesit morën pjesë në këtë forum, ku ishin të pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Shtetit Xiao Jie dhe kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës He Lifeng.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button