Lidhjet familjare në provë në Bruksel: KE kërkon të shohë ndryshimet e ligjit për komunikimet elektronike
Kuvendi i Malit të Zi hoqi verën e kaluar, pa pëlqimin e Komisionit Evropian (KE), dispozitën e Ligjit për komunikimet elektronike dhe veprimtarinë postare që ndalonte emërimin si anëtar i Këshillit të Agjencisë për Komunikimet Elektronike dhe Veprimtarinë Postare (EKIP) dhe si drejtor i këtij rregullatori të bashkëshortëve dhe të afërmve të gjakut në vijë të drejtë të deputetëve, këshilltarëve, funksionarëve të partive politike dhe personave që i zgjedh ose emëron presidenti, Kuvendi, Qeveria apo kuvendet komunale, shkruan Vijesti.
Për këtë arsye, sipas raportimit të Vijesti, Komisioni Evropian u kërkoi autoriteteve malazeze t’i dorëzojnë tekstin e ndryshuar të ligjit, për të vlerësuar përputhshmërinë e tij me acquis të Bashkimit Evropian, duke shprehur shqetësimin se heqja e këtij mekanizmi mbrojtës mund të rrezikojë pavarësinë e organit rregullator.
Nga Delegacioni i BE-së në Mal të Zi i thanë Vijesti se ndryshimet e miratuara ende nuk kanë marrë dritën jeshile të Brukselit dhe nuk përjashtohet mundësia që Mali i Zi të duhet ta ndryshojë sërish ligjin, megjithëse kapitulli negociues 10 (Shoqëria e informacionit dhe mediat) është mbyllur përkohësisht. “Shërbimet e KE-së janë në kontakt me autoritetet malazeze për ndryshimet e Ligjit. Ato theksuan se të gjitha ndryshimet, veçanërisht ato që prekin garancitë e pavarësisë së organit rregullator kombëtar, duhet të trajtohen me analizë të kujdesshme dhe kërkuan dorëzimin e tekstit të përditësuar të ligjit për vlerësimin përkatës. Pavarësia e organeve rregullatore kombëtare është një nga kërkesat themelore të acquis së BE-së”, ishte përgjigja zyrtare e Delegacionit të BE-së, të cilin e drejton Johan Satler, siç transmeton Vijesti.
Delegacioni theksoi gjithashtu se mbyllja e përkohshme e kapitullit 10 nuk e liron Malin e Zi nga detyrimi për të ruajtur përputhshmërinë me acquis dhe se Komisioni do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e detyrimeve në kapitujt e mbyllur përkohësisht.
Shqetësimi i Brukselit vjen në një moment kur, siç njofton Vijesti, është në rrjedhë procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të EKIP-it: Këshilli i Agjencisë shpalli konkursin në mes të shtatorit, pasi në korrik shkarkoi drejtoreshën Marija Konjeviq, ndërsa javën e kaluar u raportua se për postin kanë aplikuar katër kandidatë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.