Gjyqi për Tempin: Ruçi mbyll dëshminë maratonë — nuk mund të mos dimë prej katër vjetësh çfarë ka në arkivol
Në seancën e 52-të në Gjykatën e Apelit të Larisës, Panos Ruçi, që humbi djalin Denis në tragjedinë e 28 shkurtit 2023, foli për arkivolin e mbyllur, materialin biologjik të shkatërruar dhe dyshimet për ngarkesë të paligjshme në trenin tregtar
Në seancën e djeshme, e 52-ta që nga nisja e gjyqit për krimin e Tempit në Gjykatën e Trefishtë të Apelit për Krime të Rënda në Larisa, u mbyll dëshmia për herë të tretë e Panos Ruçit, i cili humbi djalin e tij Denis natën e 28 shkurtit 2023, siç njofton gazeta greke Efsyn.
Në dëshminë e parë Ruçi ishte ndier keq dhe ishte dërguar në spital, ndërsa në të dytën kishte denoncuar një tentativë ryshfeti ndaj tij, me qëllim që të ndalonte së angazhuari me çështjen e Tempit. Në fillim të seancës, avokatja e tij, Zoe Konstandopulu, deklaroi para gjykatës se më 7 tetor u mbush një vit nga greva e Ruçit dhe se urdhri i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Larisës për hetimin e shkaqeve të vdekjes së djalit të tij — që ishte edhe objekti i grevës — nuk është zbatuar ende, ndërsa qeveria, sipas saj, e përqesh Ruçin. Ajo bëri të ditur se familja ishte informuar me e-mail nga policia se mjekja ligjore e caktuar si eksperte, për të cilën ishte kërkuar përjashtimi për konflikt detyrash, kishte marrë një leje katërmujore për rritjen e fëmijës. “Prokuroria zvarritet. Ka mungesë vullneti për hetimin e çështjes dhe kjo duhet të urdhërohet nga gjykata juaj. Është çështje besueshmërie e drejtësisë. Herët a vonë e vërteta do të shkëlqejë”, tha Konstandopulu.
Më pas vijoi dëshmia maratonë e Panos Ruçit, i cili iu përgjigj një sërë pyetjesh të avokates së tij për gjithçka që përjetoi nga nata e përplasjes së dy trenave, vdekjen e djalit, veprimet e tij për zbulimin e së vërtetës dhe grevën e urisë 23-ditore që bëri për të arritur nxjerrjen e urdhrit për zhvarrimet, i cili ende nuk është zbatuar.
Në dëshminë e tij, Ruçi kritikoi vendimin e hetuesit të apelit që, 40 ditë pas aksidentit, urdhëroi shkatërrimin e materialit biologjik të marrë. “Mora një arkivol të mbyllur dhe nuk e pashë kurrë fëmijën tim. Hetuesi nuk kishte arsye t’i hidhte mostrat derisa të përfundonte procedura”, theksoi ai. Dhe vijoi: “Nuk mund të mos dimë prej katër vjetësh çfarë ka në arkivol. Është fëmija im atje, apo ndoshta edhe ndonjë tjetër?”
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokates, ai pretendoi se që në fillim nuk u bë gjithçka siç duhej, sepse “diçka fshehin, nuk duan të na thonë të vërtetën dhe çfarë mbante treni tregtar”. Ruçi kundërshtoi fort se shpërthimi i zjarr pas përplasjes së dy trenave vinte nga vajrat e silikonit, duke theksuar se “ekspertët thanë se kishte ndonjë substancë kimike” dhe se “përgjigje përfundimtare për këtë çështje nuk kemi marrë”. “Është e vetëkuptueshme që diçka e paligjshme kishte brenda trenit. Bëjnë gjithçka që e vërteta të mos dalë. Por ne nuk do të ndalemi derisa të zbulohet e vërteta për vdekjen e fëmijës tim dhe derisa përgjegjësit të paguajnë”, vijoi ai.
Në pjesë të tjera të dëshmisë së tij të gjatë, Ruçi foli sërish për “përpjekje mbulimi të çështjes”, për “video të rreme”, për atë që ndodhi gjatë grevës së tij të urisë dhe për faktin se nuk u thirr kurrë të dëshmonte për denoncimet e tij për tentativë kundër tij, për ndjekjen e djalit të tij dhe për tentativën e ryshfetit. Ai hodhi poshtë kategorikisht edhe teoritë e konspiracionit lidhur me zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit që çoi në djegien e gati gjysmës së viktimave të tragjedisë hekurudhore.
Seancat e radhës të gjykatës janë sot, e mërkurë, dhe nesër, e enjte, me dëshmi të të afërmve të viktimave që përfaqësohen nga Zoe Konstandopulu. Megjithatë, në seancën e sotme pritet të mos dëshmojnë dëshmitarë për shkak të një pengese të Konstandopulut, siç informoi ajo vetë sot gjykatën; në atë rast dëshmitë do të vazhdojnë ditën tjetër me Mirela Ruçin, nënën e Denisit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.