☁️
Tiranë 7°C · Vranët 25 Nëntor 2026
S&P 500 7,201 ▼0.5%
DOW 50,019 ▲0.85%
NASDAQ 23,734 ▼1.48%
NAFTA 80.55 ▼1.83%
ARI 3,518 ▼1.22%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
₿ CRYPTO
BTC $58,801 ▼ -2.76% ETH $1,643 ▼ -3.24% XRP $0.9151 ▼ -3.06% SOL $68.0400 ▼ -4.99%
S&P 500 7,201 ▼0.5 % DOW 50,019 ▲0.85 % NASDAQ 23,734 ▼1.48 % NAFTA 80.55 ▼1.83 % ARI 3,518 ▼1.22 % S&P 500 7,201 ▼0.5 % DOW 50,019 ▲0.85 % NASDAQ 23,734 ▼1.48 % NAFTA 80.55 ▼1.83 % ARI 3,518 ▼1.22 %
EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667 EUR/USD 1.0960 EUR/GBP 0.8364 EUR/CHF 0.9172 EUR/ALL 89.8084 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6684 EUR/TRY 55.5585 EUR/JPY 174.49 EUR/CAD 1.5667
25 Nën 2026
Breaking
Bota

Media turke “FTN News”: Saranda, porta drejt aventurave natyrore dhe thesareve turistike të jugut të Shqipërisë

– Saranda dhe Riviera Shqiptare vijojnë të tërheqin vëmendjen e medieve ndërkombëtare të turizmit, duke promovuar Shqipërinë si një destinacion që ndërthur bukurinë e bregdetit të Jonit, pasuritë natyrore, trashëgiminë historike dhe mundësitë për aventura në natyrë.

Në një artikull të publikuar nga media turke e specializuar në turizëm “FTN News” (Focus on Travel News), promovohen mundësitë për turizëm aktiv, udhëtime panoramike përgjatë Rivierës Shqiptare, eksplorim të pasurive natyrore dhe historike, nga Syri i Kaltër dhe Butrinti deri në Gjirokastër e Qafën e Llogorasë, duke e paraqitur Sarandën si një pikënisje ideale për të zbuluar larminë turistike të Shqipërisë së jugut.

Përtej plazheve: Aventurat aktive dhe udhëtimet panoramike me makinë në Sarandë

Saranda është një nga destinacionet më të njohura bregdetare të Shqipërisë, e njohur për ujërat e kristalta, klimën mesdhetare dhe qasjen e lehtë në plazhet e bregdetit jugor.

Megjithatë, kalimi i disa ditëve në këtë qytet, nuk nënkupton domosdoshmërisht qëndrimin vetëm pranë detit, pasi zona përreth, ofron një larmi të jashtëzakonshme mundësish për turistët që kërkojnë aktivitete dhe aventura në natyrë.

Brenda një distance relativisht të shkurtër me makinë, vizitorët mund të eksplorojnë shtigjet malore, të zbulojnë rrënoja antike, të notojnë në plazhe të veçuara, të vizitojnë burime me ujëra të ëmbla dhe të përshkojnë rrugë bregdetare me pamje spektakolare.

Mënyra më e përshtatshme për t’i kombinuar këto përvoja, është përdorimi i Sarandës si një pikënisje për të eksploruar rajonin përreth me makinë.

Kështu, në vend që të ndryshojnë vazhdimisht akomodimin, vizitorët mund të kthehen çdo mbrëmje në të njëjtin hotel, ndërsa çdo mëngjes të nisen drejt një destinacioni të ri.

Eksplorimi nis nga bregdeti

Pika e parë e këtij udhëtimi është natyrshëm bregdeti i Jonit.

Shëtitorja e Sarandës është ideale për një ditë të qetë, por ata që kërkojnë më shumë aktivitete, mund të drejtohen në jug, drejt Ksamilit, ose në veri, drejt Rivierës Shqiptare.

Ksamili është i famshëm për plazhet dhe ishujt e vegjël, duke e bërë zonën veçanërisht tërheqëse për not dhe aktivitete të ndryshme ujore.

Megjithatë, gjatë javëve më të frekuentuara të verës, plazhet mund të mbushen me pushues, ndaj nisja herët në mëngjes është një zgjedhje e këshillueshme.

Në drejtim të veriut, bregdeti ofron një përvojë krejtësisht të ndryshme, pasi, ndërsa largohesh nga Saranda, peizazhi bëhet gradualisht më i thyer dhe piktoresk, veçanërisht në zonat e Borshit, Qeparoit dhe Himarës.

Në vend që të zgjidhet vetëm një destinacion, ku të kalohet e gjithë dita, udhëtimi me një makinë me qira, krijon mundësinë që edhe rruga të kthehet në një pjesë të rëndësishme të aventurës.

Udhëtim panoramik me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare

Rruga që lidh Sarandën me Vlorën, konsiderohet një nga itineraret më spektakolare për udhëtime me makinë në Shqipërinë e jugut.

Ajo ndjek vijën bregdetare të Jonit dhe ngjitet drejt maleve përreth Qafës së Llogorasë, nga ku hapen pamjet mbresëlënëse drejt detit, përpara se rruga të zbresë sërish drejt plazheve dhe fshatrave bregdetare.

Ky është një itinerar që meriton të përshkohet pa nxitim, pasi përgjatë tij, ndodhen disa pika panoramike ku ia vlen të ndalosh, ndërsa rrugët dytësore të çojnë drejt plazheve dhe fshatrave, që mund të kthehen në zbulimet më të bukura të ditës.

Për vizitorët që planifikojnë disa ekskursione gjatë qëndrimit në Shqipëri, platforma “Book N’Ride” mund të jetë e dobishme për të krahasuar ofertat e makinave me qira përpara mbërritjes në vend.

Makina u mundëson vizitorëve, më shumë fleksibilitet për të kombinuar pushimet në plazh me ecjet në natyrë, vizitat turistike dhe udhëtimet në zonat malore.

Eksplorimi i zonave malore

Saranda është e rrethuar nga kodra dhe male, duke u ofruar mundësi vizitorëve që preferojnë aktivitetet në natyrë, të gjejnë shtigje për shëtitje dhe ecje malore, pa u larguar shumë nga qyteti.

Një nga alternativat është eksplorimi i zonave të brendshme pranë bregdetit jugor, ku rrugët largohen nga resortet e frekuentuara bregdetare dhe të çojnë drejt peizazheve më të qeta.

Sa më shumë të largohesh nga bregdeti, aq më shumë ndryshon natyra e peizazhit, duke kaluar nga bimësia mesdhetare në terrene malore të thyera.

Për një ekskursion ditor më të gjatë, Gjirokastra ofron mundësinë për të zbuluar edhe brendësinë malore të vendit.

Vetë qyteti historik ia vlen të eksplorohet në këmbë, pasi rrugët e pjerrëta dhe shtëpitë prej guri, krijojnë një itinerar të natyrshëm për shëtitje, ndërsa kalaja ofron pamje të gjera mbi luginat përreth.

Edhe udhëtimi drejt Gjirokastrës është pjesë e kësaj përvoje, pasi nisja nga Saranda në mëngjes, u jep vizitorëve kohë të mjaftueshme për të eksploruar qytetin, për të ndaluar për drekë dhe për t’u kthyer në mbrëmje në bregdet.

Syri i Kaltër, një atraksion natyror për një përvojë ndryshe

Një nga ekskursionet më të njohura në natyrë nga Saranda është vizita në Syrin e Kaltër, një burim i fuqishëm me ujëra të ëmbla, i rrethuar nga një zonë pyjore.

Ngjyra e tij intensive blu është rezultat i thellësisë së jashtëzakonshme dhe kthjelltësisë së ujit, duke krijuar një peizazh natyror mbresëlënës.

Ky atraksion përbën një kontrast freskues me plazhet e bregdetit të Jonit, pasi, në vend të ujit të kripur dhe detit të hapur, vizitorët gjejnë një mjedis me ujëra të ëmbla e të freskëta, të rrethuar nga kodra të gjelbra.

Për më tepër, vizita në Syrin e Kaltër mund të kombinohet me një udhëtim nëpër zonat rurale, duke e bërë atë një zgjedhje të përshtatshme, për ata që dëshirojnë të kalojnë një pjesë të pushimeve larg plazhit.

Butrinti, një destinacion që eksplorohet më këmbë

Udhëtimet aktive nuk nënkuptojnë gjithmonë ngjitje në male, pasi edhe vizitat në monumentet historike dhe parqet arkeologjike, mund të kthehen në përvoja të veçanta në natyrë.

Një shembull i tillë është Butrinti, në jug të Sarandës, ku vizitorët mund të eksplorojnë një sipërfaqe të gjerë me rrënoja antike, të rrethuara nga bimësia dhe ligatinat.

Përgjatë shtigjeve të parkut arkeologjik, vizitorët mund të ecin mes mbetjeve të ndërtesave antike, teatrove, fortifikimeve dhe objekteve fetare, duke zbuluar njëkohësisht trashëgiminë historike dhe peizazhin natyror të zonës.

Pikërisht ky kombinim e bën Butrintin një destinacion veçanërisht tërheqës, ndërsa afërsia me Ksamilin, mundëson që të dyja vizitat të përfshihen në të njëjtën ditë, duke kombinuar notin, shëtitjet dhe eksplorimin historik.

Një ditë në ujërat e Jonit

Përveç eksplorimit në këmbë dhe udhëtimeve me makinë, bregdeti i Jonit ofron edhe shumë mundësi për ta zbuluar rajonin nga deti.

Në varësi të kushteve lokale dhe mundësive të disponueshme, vizitorët mund të marrin pjesë në udhëtime me varkë, të eksplorojnë vijën bregdetare nga uji ose të kalojnë kohë duke notuar dhe zhytur me maskë në pjesë më të qeta të bregdetit.

Makina krijon avantazhin që turistët, të mos kufizohen vetëm te plazhi pranë akomodimit të tyre, por të kenë mundësi të udhëtojnë drejt pjesëve të ndryshme të bregdetit dhe të zgjedhin aktivitetin në varësi të motit dhe kushteve të ditës.

Ky fleksibilitet bëhet veçanërisht i dobishëm për ata që planifikojnë qëndrime më të gjata në zonë.

Saranda si pikënisja për udhëtime aktive

Saranda është një pikënisje e përshtatshme për eksplorimin e rajonit, pasi në një distancë të arritshme prej saj, ndodhen destinacione që ofrojnë përvoja krejtësisht të ndryshme.

Kështu, turistët mund ta kalojnë një ditë në plazh, ditën tjetër duke eksploruar rrënojat antike, një ditë tjetër duke udhëtuar nëpër male dhe një tjetër duke shëtitur në një qytet historik.

Për vizitorët që kërkojnë këtë lloj fleksibiliteti, “Book N’Ride” në Sarandë, ofron një mundësi për të gjetur makina me qira, të cilat mund të përdoren për udhëtime dhe ekskursione në të gjithë rajonin.

Ideja është që makina të mos shihet thjesht si një mjet transporti, për të lëvizur nga aeroporti në hotel apo nga hoteli në plazh, por si një pjesë e vetë përvojës turistike në jug të Shqipërisë.

Itinerari treditor për të eksploruar jugun

Edhe nëse vizitorët kanë vetëm disa ditë në dispozicion në Sarandë, ata mund të zbulojnë disa nga aspektet më të veçanta të rajonit, përmes një itinerari që ndërthur plazhet, natyrën, historinë dhe peizazhet malore.

Dita e parë: Saranda dhe Ksamili

Dita e parë mund t’i kushtohet eksplorimit të bregdetit, duke nisur paraditen me not ose me vizita në plazhet përreth Ksamilit, për të vazhduar më pas pasditen drejt parkut arkeologjik të Butrintit.

Dita e dytë: Syri i Kaltër dhe Gjirokastra

Dita e dytë mund të nisë me një udhëtim drejt zonave të brendshme të vendit, ku ndalesa e parë është Syri i Kaltër, përpara se itinerari të vazhdojë drejt Gjirokastrës.

Pasditja mund t’i kushtohet shëtitjes në qendrën historike dhe vizitës në kala, përpara kthimit në Sarandë.

Dita e tretë: Riviera Shqiptare

Ditën e tretë, vizitorët mund të nisen drejt veriut, përgjatë bregdetit, në drejtim të Himarës, duke ndaluar në plazhe dhe pika panoramike përgjatë rrugës.

Nëse koha në dispozicion e lejon, udhëtimi mund të vazhdojë deri në Qafën e Llogorasë, përpara kthimit në jug.

Ky itinerar u mundëson vizitorëve të përjetojnë plazhet, natyrën, historinë dhe peizazhet malore pa pasur nevojë të ndryshojnë hotel çdo natë.

Periudha më e përshtatshme për eksplorim

Vera mbetet sezoni më i preferuar për të vizituar Sarandën, por nuk është e vetmja periudhë që ia vlen të zgjidhet për të eksploruar zonën.

Muajt më të nxehtë janë idealë për not dhe aktivitete ujore, ndërsa periudhat jashtë pikut të sezonit, ofrojnë kushte më të përshtatshme për ecje në natyrë, udhëtime me makinë dhe vizita në monumentet historike.

Gjatë korrikut dhe gushtit, nisja herët në mëngjes mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm, pasi rrugët dhe plazhet pranë destinacioneve më të njohura, bëhen gjithnjë e më të frekuentuara me kalimin e orëve.

Në të kundërt, orët e mëngjesit janë përgjithësisht më të përshtatshme për udhëtime të gjata dhe aktivitete në natyrë.

Pavarësisht periudhës së vitit, përpara nisjes drejt zonave malore, këshillohet të kontrollohen kushtet lokale të motit dhe gjendja e rrugëve, në mënyrë që udhëtimi të jetë sa më i sigurt dhe i organizuar.

Përvojat më të bukura të Sarandës mund të gjenden edhe jashtë qytetit

Plazhet e Sarandës janë padyshim një nga arsyet kryesore, që e bëjnë këtë qytet tërheqës për vizitorët, por ato përfaqësojnë vetëm një pjesë të përvojës që ofron kjo zonë.

Avantazhi i vërtetë i qëndrimit në Sarandë, është larmia e destinacioneve që mund të arrihen me makinë, duke u dhënë vizitorëve, mundësinë të përjetojnë çdo ditë diçka të ndryshme.

Një ditë mund të kalohet duke notuar në ujërat e detit Jon, një tjetër duke shëtitur në një park arkeologjik antik, një tjetër duke eksploruar një qytet historik malor dhe një tjetër duke përshkuar një rrugë bregdetare me pamje spektakolare.

Pikërisht kjo larmi e bën Shqipërinë e jugut, veçanërisht tërheqëse për turistët që preferojnë pushimet aktive, të organizuara rreth lëvizjes dhe zbulimit të vendeve të reja, në vend që të zgjedhin vetëm një plazh dhe të qëndrojnë aty gjatë gjithë pushimeve.

Saranda është pikënisja, ndërsa malet, fshatrat, parqet arkeologjike, plazhet dhe rrugët panoramike përreth saj përbëjnë aventurën që ofron Shqipëria e jugut. /

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.