LIDL: Qasje e drejtpërdrejtë e prodhuesve shqiptarë në zinxhirët europianë të furnizimit
Kompania gjermane Lidl ka marrë statusin e investimit strategjik për një qendër logjistike në Porto Romano. Në një përgjigje zyrtare për “Monitor”, kompania dha detaje lidhur me këtë projekt. Lidl është vazhdimisht në kërkim të mundësive për zgjerim dhe analizon kushtet e tregjeve lokale, si edhe potencialin e konsumatorëve.
Shqipëria është një treg i shitjes me pakicë ku koncepti i Lidl-it për të ofruar produkte me cilësi të lartë me çmimin më të mirë gëzon një nivel të lartë miratimi nga konsumatorët. Potenciali që zhvillimi dinamik ekonomik i Shqipërisë i ofron Lidl-it – dhe njëkohësisht vlera e shtuar që ne mund t’i sjellim ekonomisë shqiptare – është shumë mbresëlënëse.
Si Investitor Strategjik, jemi të kënaqur me pronën portuale në Durrës, të cilën e kemi marrë me qira nga Autoriteti Portual i Durrësit (APD). Ky moment historik përbën një hap vendimtar për zgjerimin tonë në Shqipëri.
Së bashku me Autoritetin Portual dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, po punojmë ngushtë për të arritur qëllimin tonë: një qendër moderne logjistike për Lidl-in, e cila jo vetëm forcon furnizimin lokal, por gjithashtu u mundëson prodhuesve shqiptarë qasje të drejtpërdrejtë në zinxhirët europianë të furnizimit. Jemi krenarë që po ndërtojmë së bashku një urë simbolike që e lidh Shqipërinë edhe më fort me botën.
Qendrat administrative dhe të shpërndarjes së mallrave të Lidl-it janë shumë më tepër sesa thjesht qendra logjistike. Punonjësit sigurojnë funksionimin e pandërprerë të shumë dyqaneve, duke mbuluar detyra që variojnë nga shitjet dhe operimi i qendrave logjistike, te mbështetja për punonjësit e dyqaneve, si dhe funksionet administrative dhe logjistike.
Gjatë ndërtimit dhe funksionimit përdoren teknologji dhe materiale moderne ndërtimi, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe minimizimin e emetimeve të dioksidit të karbonit. Si rezultat, një qendër e re administrative dhe logjistike e Lidl-it prodhon rreth 1,000 tonë më pak dioksid karboni sesa një objekt logjistik më i vjetër. Kur të jetë plotësisht funksionale, depoja qendrore pritet të punësojë rreth 200 persona.
Kush është LIDL dhe plani i zgjerimit me një rrjet supermarketesh
Në shtator 2024, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve njoftoi për herë të parë në faqen e saj zyrtare se Lidl, një nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Europë, kishte shfaqur interes për t’u zgjeruar në Shqipëri. Në atë kohë, AIDA dhe Autoriteti Portual Durrës bënë të ditur se po asistonin kompaninë në planin e saj të hyrjes në tregun shqiptar.
Lidl planifikon ngritjen e një zinxhiri supermarketesh në vend, por hapi i parë i rëndësishëm lidhet me investimin në një qendër logjistike në Porto Romano, projekt që ka marrë statusin e investimit strategjik. Investimi kap vlerën e 105 milionë eurove dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë.
Qendra pritet të shërbejë si nyja kryesore për magazinimin e produkteve me shumicë, duke mbështetur furnizimin e tregut shqiptar, grumbullimin, ruajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, si edhe promovimin dhe eksportin e tyre në tregje të jashtme.
Me rreth 12,600 dyqane në 31 vende, mbi 382,400 punonjës dhe të ardhura prej 132.1 miliardë eurosh në vitin fiskal 2024, Lidl është një nga grupet më të mëdha të shitjes me pakicë në Europë.
LEXONI EDHE:



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.