Paketa ligjore për protestat, Bardhi: Antikushtetuese, po tenton të pengojë protestat e studentëve
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj paketës së re ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama kundër dhunës dhe anarkisë urbane, duke e cilësuar atë antikushtetuese.
Bardhi akuzoi Ramën se po synon të pengojë protestat e studentëve dhe të rinjve përmes këtyre masave ligjore.
Sipas Bardhit, paketa e propozuar përbën një përpjekje për të kufizuar lirinë e protestës.
Reagimi i plotë:
Sapo shpalli diktaturën! Të paktën në mendjen e tij të sëmurë. Sepse harron një gjë: shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të kthehen 36 vite pas, vetëm për të mbrojtur karrigen e Edi Ramës.
Edi Rama mori përsipër përgjegjësinë për dhunën policore ndaj studentëve dhe të rinjve, ndërsa paralajmëroi se do t’ia nxjerrë sytë kujtdo që proteston. Do t’ia mbyllë gojën kujtdo. Do ta burgosë këdo. Do ta gjobisë këdo.
Ky që patë sot është Edi Rama i vërtetë: një diktator hajdut, i gatshëm t’i bëjë vendit të keqen më të madhe për të mbajtur karrigen e tij. Sot patë një Edi Ramë më të dobët se kurrë, që përballet me protestat e studentëve dhe sheh tek ato një sfidë të drejtpërdrejtë për pushtetin e tij dhe rrezikun e përgjegjësisë përpara drejtësisë.
Asgjë nga ato që tha nuk ka për t’u realizuar. Çdo germë e paketës “Kundër Studentëve” është antikushtetuese.
Edi Rama është një kryeministër politikisht i mbaruar. Numërimi mbrapsht ka nisur. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë vullnetin e qytetarëve për mirëqeverisje, liri, drejtësi dhe demokraci.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.