Ligji i sponsorizimeve/ Një mundësi e madhe për sportin shqiptar, por me shumë pikëpyetje
Nga Jurgen Zela, Panorama Sport
Lajmi për ligjin e ri të sponsorizimeve entuziazmoi jo pak sportdashësit shqiptarë, por edhe të gjithë ata që punojnë në sektorin e sportit. Për shumëkënd, ky ligj përfaqësonte një nga shpresat më të mëdha për të siguruar mbështetje financiare për sportet e ndryshme dhe për të krijuar një marrëdhënie më të fortë mes biznesit privat dhe sportit.
Megjithatë, entuziazmi fillestar u zbeh shpejt përballë paqartësive të shumta që shoqërojnë këtë nismë. Përpara se ligji të bëhet funksional dhe të përmbushë pritshmëritë e palëve të interesuara, veçanërisht të komunitetit sportiv, nevojiten një sërë ndryshimesh dhe saktësimesh.
Tavani prej 20 milionë eurosh është i ulët
Nëse marrim në konsideratë se nga ky mekanizëm parashikohet të financohen sporti, arti dhe kultura, një fond prej 20 milionë eurosh duket i pamjaftueshëm për të përmbushur nevojat e këtyre sektorëve. Mjafton të kujtojmë financimin prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West apo rreth 2.5 milionë eurot e parashikuara për një federatë relativisht të vogël si ajo e Padelit, për të kuptuar se tavani i përcaktuar mund të shterojë shumë shpejt. Në këto kushte, lind pyetja: sa do të mbetet realisht për klubet, federatat dhe aktivitetet sportive që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme financiare?
Sponsorizimi nuk është më i drejtpërdrejtë, por i centralizuar
Një nga problematikat kryesore të ligjit lidhet me mënyrën se si do të funksionojë mekanizmi i financimit. Bizneset që dëshirojnë të mbështesin një klub apo aktivitet sportiv duhet ta kalojnë financimin përmes agjencisë që do të krijohet për administrimin dhe shpërndarjen e fondeve. Kjo ngre një pikëpyetje thelbësore: a mund të quhet sponsorizim privat një mekanizëm ku biznesi nuk ka kontroll mbi destinacionin e financimit të tij? Në thelb, ky model rrezikon të largojë biznesin nga vendimmarrja dhe të dobësojë vetë konceptin e sponsorizimit.
Mungon një ndarje e qartë e fondeve për sportin dhe futbollin
Një tjetër shqetësim është mungesa e një ndarjeje të përcaktuar të fondit prej 20 milionë eurosh sipas sektorëve përfitues. Nuk ka një përqindje të qartë që garanton se sa do të shkojë për sportin në tërësi dhe sa për futbollin në veçanti. Kjo krijon pasiguri për klubet, federatat dhe organizatat sportive, të cilat nuk kanë asnjë garanci mbi nivelin e mbështetjes që mund të përfitojnë. Nëse synimi është zhvillimi i sportit shqiptar, atëherë është e domosdoshme që sporti të ketë një pjesë të përcaktuar dhe të garantuar të këtij fondi.
Rreziku që ligji të kthehet në një buxhet të dytë shtetëror
Në vend që të krijojë një mekanizëm për të nxitur dhe lehtësuar sponsorizimin privat, ligji rrezikon të shndërrohet në një fond paralel me buxhetin e shtetit, ku vendimmarrja mbi shpërndarjen e parave përqendrohet në duart e qeverisë, përmes agjencisë përkatëse. Raste si financimi prej 4 milionë eurosh për koncertin e Kanye West dhe fondet e konsiderueshme të akorduara për Padelin ngrenë pikëpyetje legjitime mbi prioritetet dhe kriteret e shpërndarjes së parave. Një ligj i tillë duhet të garantojë transparencë, kritere të qarta dhe, mbi të gjitha, autonomi në vendimmarrjen e biznesit privat.
Në thelb, çfarë duhet të ndryshojë?
Ligji i ri i sponsorizimeve mund të jetë një mundësi historike për sportin shqiptar, por vetëm nëse ndërtohet mbi parime të qarta:
- Biznesi duhet të ketë të drejtën të zgjedhë klubin, federatën apo aktivitetin që dëshiron të sponsorizojë.
- Duhet të përcaktohet një fond i garantuar për sportin dhe një ndarje e qartë sipas sektorëve.
- Duhet të rritet tavani financiar, në mënyrë që fondet të mos shterojnë përpara se të mbështesin realisht nevojat e sportit.
- Duhet të sigurohet transparencë e plotë në administrimin dhe shpërndarjen e fondeve.
Në fund të fundit, filozofia e këtij ligji duhet të jetë fuqizimi i sponsorizimit privat dhe krijimi i një klime ku biznesi të ketë interes të investojë në sport. Jo krijimi i një tjetër instrumenti përmes të cilit shteti vendos se kush financohet dhe kush jo. Sporti shqiptar ka nevojë për investime të qëndrueshme, jo thjesht për premtime dhe mekanizma burokratikë.
PANORAMASPORT.AL



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.