Ligji për Specialen, Limaj: Salih Mustafa dhe Pjetër Shala mund ta vuajnë dënimin në Kosovë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se pas hyrjes në fuqi të ligjit për Dhomat e Specializuara, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa mund të kërkojnë që dënimet me burgim t’i vuajnë në Kosovë.
Duke folur në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Limaj u është drejtuar avokatëve të Shalës dhe Mustafës, duke u bërë thirrje që të parashtrojnë kërkesa për transferimin e tyre në institucionet korrektuese të Kosovës.
“Veprimi i parë që duhet me e ba, kqyre, atë ditë që ta nënshkruan presidentja ligjin edhe të futet ligji… po dua me ua drejtu një porosi avokatëve të Salih Mustafës edhe të Pjetër Shalës, nga ajo ditë, thirrni avokatët e juaj me bë kërkesë me ju pru në Kosovë se qeshtu e thotë ligji”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka përmendur nenet 15, 16 dhe 17 të ligjit, për të cilat ka thënë se parashohin mundësinë e nisjes së procedurave për vuajtjen e dënimeve në Kosovë pas hyrjes në fuqi të tij.
“Kqyre, neni 16 i këtij ligji thotë dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara, vuajtje vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës në pajtim me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, avokatët e dy ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet ta shqyrtojnë këtë mundësi dhe të nisin procedurat përkatëse sapo ligji të hyjë në fuqi.
Deklarata e Limajt vjen në kuadër të debatit për ndryshimet ligjore që lidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe mundësinë që personat e dënuar nga kjo gjykatë t’i vuajnë dënimet në institucionet korrektuese brenda vendit.
Megjithatë, mundësia konkrete e transferimit të Shalës dhe Mustafës varet nga përmbajtja përfundimtare e ligjit, dispozitat përkatëse dhe procedurat që duhet të ndiqen nga institucionet kompetente.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.